Policët mohojnë se e panë Fisnik Ismailin duke gjuajtur lotsjellës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Social Demokrate, Fisnik Ismaili, është kthyer të martën paradite në bankën e gjykatës për t’u përgjigjur rreth akuzave me të cilat po përballet për gazin lotsjellës në Kuvend të para më shumë se tri viteve.

Në dëshminë e dhënë sot, dëshmitari Isuf Xhemajli, pjesëtar i Policisë së Kosovës, tha se nuk e ka parë deputetin Ismaili në ditën për të cilën ai akuzohet se ka kryer vepër penale në Kuvend, raporton KALLXO.com.

Polici tha se detyra e tyre atë ditë, më 30 nëntor 2015, kishte qenë që ta arrestojnë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili po kërkohej nga policia për veprime të njëjta.

Atëbotë Ismaili dhe Kurti ishin në partinë e njëjtë dhe po mbronin agjendë të njëjtë politike kundër qeverisë së përbërë nga koalicioni PDK-LDK.

Tani ata dy janë në taborë të kundërta pasi Ismaili dhe 11 kolegë të tjerë braktisën VV-në dhe iu bashkuan PSD-së.

Deputeti Fisnik Ismaili sot në gjykatë. Foto: Kallxo.com

“Detyra jonë atë ditë ka qenë me urdhëresë nga Gjykata për arrestimin e Albin Kurtit, por për shkak pengesave të shumë deputetëve nuk kemi mundur ta realizojmë urdhëresën tonë si zyrtarë policorë. Atë ditë unë Fisnik Ismjalin nuk e kam parë, dhe nëse ka gjujt lotsjellës Ismajli unë nuk e di”, tha dëshmitari Isuf Xhemajli.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Fisnik Ismaili, që atëherë ishte deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, pa autorizim ka poseduar armë dhe më 30.11.2015 rreth orës 10:45 gjatë një kontrolli nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në hollin e Kuvendit, atij i shin gjetur dhe sekuestruar dy bombola me gaz lotsjellës të cilat i kishte fshehur ne këpucë.

Aktakuza thotë se Ismaili kishte qëllim që këto bombola t’i fusë në sallën plenare të Kuvendit.

Në disa raste gjatë viteve 2015 e 2016, deputetët e opozitës kanë hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit si veprim për të kundërshtuar marrëveshjet e qeverisë së Kosovës me Serbinë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Raportimet rreth gjykimit ndaj Fisnik Ismailit mund t’i lexoni në këtë link.