Aksion i Policisë në Gjakovë për konfiskimin e armëve

Policia në Rajonin e Gjakovës ka zhvilluar mëngjesin e sotëm dy bastisje, nga ku ka konfiskuar disa armë të llojeve të ndryshme.

Operacionet e policisë janë zhvilluar nga Sektori i hetimeve i Stacionit Policor në Gjakovë pas pranimit të informatave për armëmbajtje pa leje në fshatin Rrecaj të Gjakovës, në dy lokacione të ndryshme.

Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrollit në shtëpinë e parë, tek i dyshuari D. B., 52 vjeçar, janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjysmë automatike një pistoletë me gaz, një karikator i pistoletës me gaz, nëntë fishek dhe një parë dylbi.

Ndërsa, gjatë kontrollit në shtëpinë e dytë, pronë e A. B., janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë snajper dhe një pushkë sportive ajrore.

Pronarët e këtyre dy shtëpive sipas policisë, pas intevistimit me urdhër të prokurorit të shtetit janë liruar në procedurë të rregullt.