Asambleja e Istogut - foto: KALLXO.com

Polemika në Asamblenë e Istogut për Dhënien në Shfrytëzim të Pronave Komunale

Asambleja Komunale e Istogut ka shfuqizuar vendimin për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale përmes ankandit publik pasi që Ministria e Pushtetit Lokal e ktheu në rishqyrtim për shkak të shkeljeve procedurale.

Pak minuta më vonë, përkundër akuzave dhe kundërshtimeve të opozitës, Asambleja e miratoi me shumicë votash vendimin e ri me ndryshimet e kërkuara nga Ministria.

Vitin e kaluar, Asambleja Komunale kishte marrë vendim për dhënien në shfrytëzim të disa pronave komunale në Cerrcë, Vrellë dhe Lubozhdë.

Për ketë temë u përplasën ashpër vitin e kaluar pozita dhe opozita, kur këta të fundit thanë se këto pronat janë shfrytëzuar që 15 vjet nga bizneset e familjes së kryetarit të Komunës, Haki Rugova dhe strukturave të LDK-së.

http://kallxo.com/akuza-per-dhenien-e-pronave-komunale-bizneseve-te-familjes-rugova/

Në mbledhjen e Asamblesë së Istogut ishin dy pika në rend të ditës: shfuqizimi i vendimit të vitit të kaluar, dhe miratimi i vendimit të ri me ndryshimet e kërkuara nga Ministria.

Para se të niste votimi për vendimet, kreu i Komunës së Istogut, Haki Rugova, doli nga salla.

Kundërshtime ndaj pikave të rendit të ditës kishte shefi i grupit të këshilltarëve komunalë nga AAK-ja, Naim Imeraj.

Ndërsa, këshilltari i pavarur komunal, Arif Elshani, akuzoi kryetarin e Komunës, Haki Rugova, se e gjithë kjo po bëhet për interesa të bizneseve të familjes se tij.

“Këtu kemi të bëjmë me një vendim që kemi tentuar me kalu herën e kaluar s’kemi mundur ta kalojmë, tash duhet me kalu. Ne kemi në atë parcelë kompani të vëllezërve Rugova. Po më vjen keq që nuk është Hakia këtu mi thanë: Haki me çdo kusht don me realizu. Pse duhet të jetë i dyshimit një komision me dalë me vlerësu çka është bërë me atë tokë, me ia dhanë Komunës ma së paku 100 euro, edhe me mbyllë”, tha Elshani.

Kurse, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agron Avdiaj, tha se tashmë po dihet se kush do t’i marrë në shfrytëzim sërish ato prona.

Por nënkryetari i Komunës, Lulzim Blakaj, tha se nuk mund të supozohet se kush mund t’i marrë në shfrytëzim këto prona.

Vitin e kaluar, hulumtimi i emisionit “Drejtësia në Kosovë“ tregoi se si familja e kryetarit Rugova ndërtoi një objekt 7-katësh në tokën komunale.