Komisioni për Legjislacion- Foto: KALLXO.com

Polemika mes Haxhiut e Beqës për Projektligjin për vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme

Shqyrtimi në parim i Projektligjit për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme ishte njëra ndër pikat për të cilën në Komisionin për Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsioni, pati edhe polemika mes deputetëve.

Para se të miratoheshin pikat e rendit të ditës të cilat ishin tri të tilla, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa tha se projektligji duhet të analizohet së bashku me projektligjin e propozuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për konfiskim të pasurisë me vepra penale.

“Ne kemi marrë vendim që të presim edhe vendimin e Ministrisë së Drejtësisë që t’i bëjmë bashkë dy ligjet dhe t’i shikojmë ato”, tha Beqa.

Kryetarja e komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu tha se rendi i ditës caktohet nga kryetarja e komisionit dhe ai kërkohet të miratohet në mbledhje.

“Duhet të dalloni se këto dy projektligje dallojnë nga njëra tjetra, ky i joni dallon nga ai i Ministrisë së Drejtësisë. Kërkoj nga komisioni që ta dërgojmë në kuvend pikën për projektligjin e pasurisë së pajustifikueshme”, tha Haxhiu.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa insistoi që pika për shqyrtimin në parim të vërtetimit të pasurisë së pajustifikueshme të shtyhet për një mbledhje tjetër.

Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu përsëri i është drejtuar deputetit të PDK-së, Hajdar Beqës se është duke i ngatërruar projektligjet.

Hajdar Beqa tha se në komision nuk duhet të vendoset në bazë të dëshirave të secilit.

“Nuk mundemi me bo fontanë dëshirash në komision. Të kisha lut të respektosh vendimin e takimit të komisionit të kaluar. Ta presim ligjin, të vijë në parlament, ta krijojmë grupin punues, t’i marrim t’i shikojmë. Kemi votuar për të unë kërkoj me u shty. Kemi votu është edhe në procesverbale”, tha Beqa.

Deputeti i LVV-së, Sami Kurteshi tha se komision duhet të diskutojë për projektligjin.

Shkumbin Demaliaj, deputet nga AAK, tha se është mirë të pritet ligji për konfiskim të pasurisë i cili është bërë me vepra penale dhe të krahasohet me projektligjin për pasuri të pajustifikueshme.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, tha se propozuesi në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje jo Ministria e Drejtësisë.

“Nëse Lëvizja Vetëvendosje thotë që nuk kemi çka të harmonizojmë, mbyllet diskutimi, nëse ata thonë që s’ka harmonizim nuk ka. Nëse donë këta me vazhdu me propozimin e tyre shumë mirë le të vazhdojmë”, tha Gashi.

Edhe pas diskutimit të kësaj pike, në fund shqyrtimi i projektligjit për vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme nuk shkoi pasi ishin 5 vota kundër 4 pro dhe një abstenim.