Po i vjen fundi pritjeve të rreth 21 mijë lëndëve gjyqësore

Brenda pak ditësh do të funksionalizohet Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, gjë që do të mundësojë edhe zgjidhjen e më se 21 mijë lëndëve që tash e sa vjet janë në pritje.

Kështu tha ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në një konferencë për media pas vizitës që pati së bashku me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Ai bëri të ditur se tashmë është hapur konkursi për 7 gjyqtarë të rinj dhe ky numër i tyre do të shkojë duke u rritur.

Tahiri theksoi se është lajm i mirë që ky ligj do të dekretohet nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe qytetarët do të kenë zgjidhje për çështjet e tyre.

“Angazhimi im si ministër ka qenë që në kuadër te kompetencave të mia, të riorganizojmë Dhomën e Posaçme dhe tash besoj se efikasiteti i saj do të jetë shumë më i madh. Një pjesë e madhe e qytetarëve janë mosha të shtyra dhe presin qe mjetet t’ju dalin në xhirollogaritë e tyre. Tashmë kemi hyrë në një rrugë të drejtë me realizimin e kësaj çështje ku pritet të jenë 100 mijë euro”, tha Tahiri.

Kryetari i Dhomës së Posaçme, Sahit Sulejmani, tha se pas aprovimit në lexim të dytë të projektligjit për Dhomën e Posaçme, ka nevojë të plotësohet pozita për gjyqtarë dhe me staf gjegjës.

“Kësi soji krijohen kushte për zgjidhjen e mbi 21 mijë lëndëve që janë pritje. Kjo vizitë e ministrit për ne është një përkrahje dhe flet për një bashkëpunim të mëtutjeshëm”, tha Sulejmani./21Media