Votimi për anëtarët e rinj të Kryesisë së VV-së - Foto: Facebook/LevizjaVetevendosje

Plotësohet kryesia e Vetëvendosjes

Në mbledhjen e 33-të të Këshillit të Përgjithshëm, Lëvizja Vetëvendosje ka kompletuar kryesinë e saj.

Sipas një njoftimi të VV-së, Kryesia e këtij subjekti nga tash numëron 23 anëtarë.

Po ashtu, janë plotësuar me anëtarë të rinj Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm, Komisioni Statutor, Komisioni Diciplinor dhe Komisioni për Shqyrtime dhe Ankesa.

Këshilli i VV zgjodhi nëpërmjet votimit të fshehtë pesë anëtarë të rinj të Kryesisë si dhe nënkryetarin e parë – Besnik Bislimin dhe sekretaren organizative – Vlora Haxhimehmedin.

Në pozicionin e drejtuesit të Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë është zgjedhur Boiken Abazi dhe udhëheqëse e Komiteteve të VV-së Dejona Mihali.

Anëtarët e rinj të Kryesisë, përmes votimit, janë plotësuar me Arbërie Nagavcin, Martin Berishajn, Arber A. Rexhajn, Arbër Zaimin dhe Ajet Poterën.

Mbledhja ka vazhduar me shumë diskutime dhe pika të shumta të rendit të ditës.

http://kallxo.com/albin-kurti-zgjedh-personalisht-nenkryetarin-dhe-sekretarin-e-vetevendosjes/

Lëvizja Vetëvendosje kishte mbetur pa drejtuesit kryesorë që nga dorëheqja e ish-kryetarit Visar Ymeri si dhe të ish-nënkryetarit të parë, Dardan Sejdiut dhe sekretarit organizativ, Dardan Molliqaj, në fillim të këtij viti.