Plotësimi i kushteve të SBAShK-ut hap rrugën për kompensimin e orëve të humbura

Në Komisionin Parlamentar për Arsim sot u vendosë që të plotësohen kërkesat e SBASHK-ut për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Paga në mënyrë që të pagat e mësimdhënësve të ciklit të ulët dhe fillor të jenë të barabarta, por edhe u tërhoq vendimi i ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi për zëvendësimin e orëve.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala tha se pas deklarimit të ministrit Bytyqi për tërheqjen e vendimit për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës dhe deklarimit të Komisionit Parlamentar se do të inicojnë plotësim-ndryshimin e ligjit të pagave do të bëhet kompensimi i orëve për një javë.

Ajo theksoi se kompensimi i kësaj jave do të bëhet në fund të vitit shkollor 2018/2019.

“Nuk janë duke u shfrytëzuar fëmijët për arritjen e këtyre pazareve sepse SBASHK-u para se të hyjë në grevë nuk ka lënë derë pa trokitur andaj përgjegjës janë institucionet që kanë lejuar të humbet mësimi gjatë atyre tri javëve grevë”, ka thënë Shala.

Nënkryetarja e SBASHK-ut gjithashtu theksoi se ju është premtuar se do të bëhet ngritja e barabartë e koeficientit për mësimdhënësit e ciklit fillor dhe të mesëm.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi tha se është arritur marrëveshja që t’iu plotësohen dy kërkesat SBASHK-ut.

Ai tha se ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi vendosi për tërheqjen e vendimit për zëvendësimin e orëve dhe se do të marrë një vendim të ri sa i përket kësaj çështje.

“Komisioni Parlamentar është zotuar se do të inicojnë rishikimin dhe plotësimin e Ligjit për paga sa i përket mësimdhënësve nga klasa e parë deri te klasa e pestë. Kemi kërkuar që këto kërkesa t`i bartin në këshillin drejtues të SBASHK-ut dhe të marrin një vendim për zëvendësimin e orëve që është në interes të gjithë nxënësve të Kosovës”, ka thënë Kurteshi.

Ai shtoi se pas plotësimit të kërkesave të tyre nuk ka arsye që të mos zëvendësohet mësimi u humbur.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi deklaroi se tashmë do të aplikohet një formulë e re e kompensimit të orëve.

Ai tha se ministria është i gatshëm që të ofrojë zgjidhje.

“Ne respektojmë procedurat ligjore dhe mund të marrim një vendim tjetër. Vendimi i parë ka ardh si propozim dhe tani propozimin e ri jemi të gatshëm ta respektojmë sepse ne nuk punojmë me inate”, ka thënë ministri.

Deputetja Valentina Bunjaku tha se situata e krijuar mes SBASHK-ut dhe Ministrisë se Arsimit është pasojë e keqqeverisjes.

Ajo theksoi se anëtarët e këtij Komisioni u zotuan se do të japin nënshkrimet për plotësim-ndryshimin e Ligjit për paga.

“Do të japim nënshkrimet për plotësimin dhe ndryshimin e koeficientit prej 1 deri në 5. Nuk kemi hyrë në pazare që sa herë të ju teket të na shantazhojnë. Me këtë keqqeverisje po pësojnë edhe mësimdhënësit edhe nxënësit”, shtoi deputetja Bunjaku.

Pas përfundimit të grevës së SBASHK-ut ku kërkohej rritja e pagave, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi kishte vendosur që të gjithë mësimdhënësit të zëvendësojnë orët e humbura gjatë grevës. Mirëpo, SBASHK-u vazhdimisht është duke e kundërshtuar këtë vendim duke thënë se Ligji për greva ua lejon qe të mos zëvendësojnë orët e humbura gjatë grevës.