Plagoset familjari i Behgjet Pacollit

Osman Pacolli është plagosur mbrëmë me tre plumba.

Burime të KALLXO.com tregojnë se i plagosuri është Osman Pacolli, vëllai i Rrahim Pacollit familjarë i zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli.

Ngjarja ka ndodhur në një lokal në Prishtinë.

Sipas këtyre burimeve një person është arrestuar si i dyshuar por më pas është liruar pasi që nuk ka pasur lidhje me ngjarjen.

Zëdhënësja e policisë për rajonin  e Prishtinës, Florie Ahmeti- Haziraj ka konfirmuar për KALLXO.com incidentin e ndodhur.

“Mbrëmë policia ka marrë një informacion për të shtëna armësh në rrugën “Enver Maloku” më saktësisht në një lokal në Prishtinë. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku edhe ka mësuar se një person  me inicialet O. P është plagosur”, tha Ahmeti.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Rrahim Pacollin por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefonata.