Pjesëmarrësit e konfliktit në Siri e Irak u gjykuan e u dënuan, rekrutuesit mbeten mister

Më shumë se 400 qytetarë të Kosovës përfunduan në konfliktin në Siri e Irak, ndërsa afër 80 prej tyre humbën jetën dhe nuk u kthyen kurrë.

Të kthyerit, u hetuan u gjykuan e u dënuan për pjesëmarrje në grupet terroriste, ndërsa  në shumicën e rasteve mbeti mister se kush planifikoi, organizoi, financoi shkuarjen e këtyre të rinjve në konfliktin e Sirisë.

Ditë më parë rreth 110 familjarë të luftëtarëve që morën pjesë në luftime në Siri, kryesisht gra dhe fëmijë u kthyen në Kosovë përmes Aeroportit “Adem Jashari”.

Në mesin e të kthyerve ishin edhe tre burra madhor dhe një i mitur të cilëve ju është caktuar paraburgimi nën dyshimin për pjesëmarrje në organizata terroriste.

Gjithçka nisi në pranverën e hershme të vitit 2011 kur në Siri nisën protestat për rrëzimin e diktatorit sirian Bashar Al Asad. Ndërsa protestat eskaluan në një konflikt që vazhdon edhe sot në të cilin kanë humbur jetën gati gjysmë milioni njerëz, ndërsa në konflikt janë përfshirë disa shtete si ShBA, Rusia, Turqia dhe Irani.

Duke e parë distancën me Sirinë e Irakun ku më pas u zgjerua konflikti dhe duke ditur që ky konflikt nuk ndërlidhej apo nuk kishte ndonjë relevancë për Kosovën, pak kush do të mund të mendonte se në këtë konflikt do të përfshiheshin mbi 400 shtetas të Kosovës, afër 80 prej të cilëve nuk do të ktheheshin kurrë në vendlindje duke humbur jetën.

Mbi 400  burra, gra e fëmijë disa prej të cilëve lindën në fushëbetejat e Sirisë, u përfshinë në njërin nga konfliktet më tragjike të shekullit XXI.

Hovi i shtetasve të Kosovës që t’i bashkëngjiten luftës në Siri filloi në vitin 2012 ndërsa para kësaj periudhe në Kosovë qëndroi edhe një delegacion i Ushtrisë së Lirë Siriane. Poashtu uk munguan as deklaratat në mbështetje të kësaj force opozitare kundrejt diktatorit Al Assad nga zyrtarë të lartë të vendit.

Viti 2013 shënoi kohën kur situata në Siri eskaloi në përmasa drastike ndërsa në mesin e shumë formacioneve ushtarake, vëmendje dhe territor nisi të fitoj organizata ISIS e cila shumë shpejt u cilësua si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e gjithë bota demokratike perëndimore.

Pikërisht për këtë organizatë mizore terroriste dyshohet se luftuan pjesa më e madhe e kosovarëve që përfunduan në Siri ku disa prej tyre si Lavdrim Muhaxheri arritën të tmerronin botën me veprimet e tyre makrabre.

Të gjendur para një situate kaq të rrezikshme, autoritet e Kosovës për të parandaluar fluksin e të rinjve kosovarë që kishin mësyrë Sirinë filloi me ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe në gusht të vitit 2014 u arrestuan grupi prej 40 të dyshuarve për pjesëmarrje në organizata terroriste. Ndërsa arrestimet dhe gjykimet e të dyshuarve të tjerë vazhdojnë edhe sot. Kuvendi i Kosovës miratoi edhe një ligj të veçantë që ndalon pjesëmarrjen në luftërat e huaja me qëllimin e vetëm ndalimin e fluksit të të rinjve që po i bashkoheshin organizatave terroriste.

Sipas të dhënave të Prokurorisë, deri më tani janë ngritur aktakuza për 119 persona ndërsa në hetime janë edhe  156 persona të tjerë. Pjesa dërmuese e rasteve për të cilat është ngritur aktakuzë tani veç ka marrë epilog nëpër gjykatat e Kosovës, ndërsa dhjetëra prej të dënuarve gjenden në vuajtje të dënimit.

Megjithatë, me gjithë punën e organeve ndjekëse, policisë dhe prokurorisë dhe gjykatave,  shumica absolute e personave të akuzuar për pjesëmarrje në luftërat e Sirisë dhe Irakut u akuzuan dhe u dënuan për pjesëmarrje në grupe terroriste.

Por kemi vetëm disa raste që dikush është dënuar për rekrutimin  apo nxitjen/shtytjen e këtyre të rinjve për t’ju bashkangjitur konfliktit në Siri dhe Irak, duke ngjallë shqetësim se ata që rekrutuan, financuan, organizuan shkuarjen në Siri, mbetën pa u ndëshkuar.

Prej rasteve të pakta gjyqësore për rekturim në terrorizëm, është rasti i ish-imamit nga Gjilani, Zeqirja Qazimi.

Në maj të vitit 2016, Gjykata në Ferizaj kishte dënuar, Zeqirja Qazimin, Ilir Berishën, Sadat Topojanin, Burim Ballazhin dhe Jetmir Kyqykun me akuzën e rekrutimit për terrorizëm.

Qazimi ishte dënuar me dënim unik prej 10 viteve, Berisha ishte dënuar me 8 vite burg, Topojani me dënim prej 7 vite e 6 muaj burg, Burim Ballazhi me 4  vjet e 6 muaj burg ndërsa Jetmir Kyqyku me 4 vjet burg.

Sipas aktakuzës, Qazimi që nga fillimi i luftës në Siri kishte filluar të mbajë ligjërata në OJQ-në “Rinia Islame”, në Kaçanik e ku fliste për rëndësinë e xhihadit, duke e krahasuar 1 orë luftimi me 30 vjet ibadet/lutje.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Qazimi, që nga viti 2013 në cilësinë e imamit të xhamisë “El –Kudus” në Gjilan si dhe në ligjëratat e tij në Kaçanik  në Han të Elezit dhe në Viti ka potencuar se lufta në Siri është luftë e shenjtë dhe ka folur për rëndësinë e bashkëngjitjes me organizatat ISIS dhe Al-Nusra.

Në ligjëratat e Qazimit sipas aktakuzës kanë marrë pjesë Lavdrim Muhaxheri, Hetem Dema, Kjani Mjaku, Ilir Berisha, Sadat Topojani, Jetmir Kyqyku, Shefki Koraqi, Osman Rrushi, Jetmir Brruti, Ylber dhe Fevzi Bela, Agon dhe Adnan Fuga, Arbnor Raka, Amir Brruti, Buletin Shala, Burim Ballazhi, Emri dhe Adil Bushi, Fevzi Bushi, Patriot Matoshi dhe Ridvan Aqifi.  Sipas aktakuzës, disa nga këta persona kanë marrë udhëzime si dhe ata  që kanë shkuar në Siri kanë marrë  edhe të holla për udhëtim.

Në aktgjykimin e Gjykatës në Ferizaj përshkruhet se si Qazimi në qershor të vitit 2014 kishte marrë vendim që komandanti i shqiptarëve në ISIS të jetë Ridvan Aqifi në vend të Lavdrim Muhaxherit.

Qazimi nuk e ka pranuar fajësinë dhe është deklaruar i pafajshëm gjatë gjithë procesit.

Po nga Gjykata Themelore në Ferizaj, për rekrutim për terrorizëm ishte dënuar edhe Fatos Rizvanolli.

Rizvanolli më 30 dhjetor të vitit 2016 ishte gjetur fajtor për rekrutim për terrorizëm dhe ishte dënuar me 7 vjet burg.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës në Ferizaj, gjatë intervalit kohor të vitit 2011-2014 Rizvanolli ka ofruar fonde dhe burime financiare në shfrytëzim të personave të pandehur dhe të dënuar për terrorizëm, si pjesëtar të organizatave terroriste ISIS e Al Nusra dhe me qëllim të përkrahjes dhe të lehtësimit të aktiviteteve të tyre terroriste, duke vënë në dispozicion të tyre për përdorim makinat e tij për tani të pandehurit Lavdrim Muhaxheri dhe Ilir Berisha me datë 20 qershor 2013, si dhe për Enis Bashën.

Gjithnjë sipas aktgjykimit të Gjykatës në Ferizaj, Rizvanolli në muajin shtator të vitit 2013, sipas kërkesës së Ilir Berishës, ka mundësuar dërgimin e Pleurat Berishës (Ardian Nushi- i cili më pas është vrarë në Siri) dhe Shkodran Krasniqi për të udhëtuar për në Siri me datë 05.10.2013, së bashku me Hetem Demën dhe Kjani Mjakun të vrarë në konfliktin në Siri, përfshirë këtu edhe vet Ilir Berishën, por ky i fundit kthehet- dëbohet nga autoritete e shtetit turk.

Rizvanolli gjatë gjithë procesit gjyqësor është deklamuar i pafajshëm në aktakuzën e prokurorisë.

Po për rekrutim për terrorizëm, në shtator të vitit 2016, Gjykata në Ferizaj kishte dënuar edhe Musa Ademin i cili ishte dënuar me 5 vjet burg.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës në Ferizaj, Ademi nga muaji gusht i vitit 2013 vazhdimisht ka bërë thirrje personave të tjerë që të marrin pjesë në aktivitetet e ISIS duke bërë propagandë intensive verbale dhe përmes rrjeteve sociale.

Po ashtu, sipas aktgjykimit të Gjykatës në Ferizaj, Ademi kishte blerë bileta të aeroplanit për dy persona, Blerim Heta dhe Fatos Ivaja të cilët sipas aktgjykimit në gusht 2013 kishin udhëtuar nga Prishtina drejt Stambollit e pastaj nga aty për në Siri.

Blerim Heta, sipas aktgjykimit të Gjykatës në Ferizaj, më datë 24 mars 2014 kishte kryer akt vetëvrasës ku kishin mbetur të vrarë 52 persona në Irak.

Përpos kësaj, sipas aktgjykimit, Ademi në maj të vitit 2014 kishte organizuar edhe shkuarjen në Siri edhe të dy personave tjerë.

Ademi është deklaruar i pafajshëm në akuzat e Prokurorisë.