Librat - Foto: KALLXO.com

Piratëria mbetet kërcënuesi kryesor i të drejtave të autorit në Kosovë

Mbrojtja e të drejtave të autorit mbetet një sfidë mjaft e madhe për institucionet që merrem me mbrojtjen dhe administrimin e këtyre të drejtave.

Pavarësisht ligjit dhe mekanizmave të formuara nga institucione për mbrojtjen, prona intelektuale në fushën e artit dhe të letërsisë, ende nuk ka mbrojtjen e duhur nga piratëria.

Këto pohim janë bërë nga krijues dhe drejtues shoqatash të ndryshme kulturore, me rastin e 26 prillit, Ditës Botërore të Pronës Intelektuale.

Zyrtarë të institucioneve shtetërore, krijuesi, ekspertë të fushës apo drejtues të OJQ-ve kulturore japin mendime të ndryshme lidhur me gjendjen e mbrojtjes së të drejtave të autorit.

Mekanizmat për mbrojtje  

Valon Kashtanjeva, drejtor i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, në Ministrinë e Kulturës, ka thënë në një prononcim për Kallxo.com, se mbrojtja e të drejtave të autorit është e mbuluar me ligj.

Sipas tij, mbrojta dhe zbatimi i këtyre të drejtave është në fazat e zhvillimit dhe të avancimit nga dita në ditë, pasi sipas tij, fillimisht janë institucionet e zbatimit të të drejtave pronësore intelektuale të cilat janë të përcaktuara dhe që viteve të fundit kanë përforcuar kapacitet me trajnime dhe përgatitje për t`u marr me rastet e shkeljeve të këtyre të drejtave në praktikë.

“Vetëm vitin 2018 janë marr shumë veprime të organizuara nga ana e institucioneve shtetërore kundër piraterisë dhe falsifikimit, kryesisht nga ana e Inspektoratit të Tregut, Policisë dhe Doganës së Kosovës, të cilat kanë sjellë rezultate të kënaqëshme, por që mbetet për t`u bërë ende shumë punë në aspekt të zbatimit të këtyre të drejtave”, ka thënë ai.

Ndërsa ka shtuar se duhet ende punë për të vetëdijesuar dhe edukuar publikun e gjerë dhe mbajtësit e të drejtave në lidhje me rëndësinë e të drejtave të pronësisë intelektuale për shoqërinë dhe ekonominë.

Kashtanjeva ka inkurajuar mbajtësit e drejtave përkatësisht ata duhet të përdorin mjetet juridike dhe të mbrojnë të drejtat e tyre, të lajmërojnë rastet e shkeljes së të drejtave tek institucionet përkatëse.

“Gjendja e zbatimit të të drejtave pronësore intelektuale është duke ndryshuar dhe përmirësuar, të drejtat pronësore intelektuale kanë një të ardhme të ndritur në vendin tonë”, ka thënë Kashtanjeva.

Lulëzimi i piratërisë

Ndërkaq për krijuesit dhe drejtuesit e shoqatave të krijuesve, piratëria vazhdon të lulëzojë edhe në këtë ditë të Pronës Intelektuale.

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës ka thënë për Kallxo.com se ligji për të drejtat autoriale nuk funksionon, fare, në Kosovë, dhe kjo sipas tij, mund të vërtetohet shumë lehtë.

Ai ka vënë dyshime se pirateria qoftë përmes fotokopjimit të librave apo formave tjera mbetet mjaft shqetësuese.

“Po t’i vizitoni bibliotekat e shkollave, bibliotekat e qyteteve, do të shihni pafund libra kopje që operatorë të papërgjegjshëm i kanë dërguar dhe të njëjtit vazhdojnë të operojnë në tregun tonë”, gjë që sipas tij ka paralizuar botimin e veprave profesionale nga fushat me interes të veçantë

Edhe Bujar Meholli, krijues, ka thënë për Kallxo.com se prona intelektuale në vendin tonë ende nuk e gëzon mbrojtjen e duhur nga ana e institucioneve.

Meholli ka thënë se kohëve të fundit plagjiatura ka marr hov, dhe sot nuk është çudi që ndonjë autor ta shohë tekstin tij të shndërruar në tekst surrogat me emrin e dikujt tjetër sipër.

“Prona intelektuale nuk ka arritur të gëzojë mbrojtjen institucionale; ligjet për të drejtat e autorit të krijojnë përshtypjen se kanë mbetur veçse në letër pa u zbatuar. Artistët shqiptarë vazhdojnë të ankohen; puna e tyre dëmtohet për shkak të piraterisë, falsifikimit, e për shkaqe tjera”, ka pohuar Meholli.

Kurse krijuesi Ilir Muharremi, profesor në UP “Hasan Prishtina” ka pohuar për Kallxo.com se mbrojtja e pronës intelektuale mbete sfidë pavarësisht ekzistimit të ligjit që lufton piraterinë.

“Edhe pse ekziston një kuadër ligjor që duhet ta mbrojë atë, përsëri shohim që kjo e drejtë nuk respektohet, apo akoma më keq nuk njihet fare”, ka thënë Muharremi.