Kuvendi i Kosovës

Pikat e votuara dhe të pavotuara të seancës së Kuvendit

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën plenare, në të cilën ka shqyrtuar disa pika të rendit të ditës.

Por për shkak të mungesës së kuorumit, pasi deputetët e LVV-së dhe LDK-së nuk po marrin pjesë në seancë, disa projektligje nuk kanë arritur të votohen.

Për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend nuk ka mundur të realizohet votimi në lexim të dytë i edhe i Projektligjit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Lidhur me këtë, deputeti i Nismës, Enver Hoti tha se mungesa e deputetëve është papërgjegjësi totale e grupimeve politike parlamentare.

“Është e paarsyeshme mosprezenca në votim”, tha ai.

Ndërsa për këtë projektligj ka reaguar edhe deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj.

“Është për keqardhje që as sot nuk arriti të kalojë Projektligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”! Mungonin deputetët e LDK-së dhe VV-së!”, ka thënë ai.

“Natyrisht votimin e Listës Serbe as që e kemi pritur”, shkroi Nitaj në Facebook, gjatë seancës.

Kuvendi nuk e miratoi as Projektligjit për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Megjithatë Kuvendi ka arritur  të miratojë sot këto projektligje dhe raporte:  Votimi në parim i Projektligjit për mbrojtjen e fëmijës,  Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për veprimtaritë hidrometeorologjike, Votimi i Raportit vjetor i Autoritetit rregullator për ujëra për vitin 2017, Votimi i Raportit vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2017, Votimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2017, votimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2017.