Avdullah Hoti | Foto: KALLXO.com

Pika për Specialen Largon Avdullah Hotin nga Mbledhja e Kryesisë

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, është larguar nga mbledhja e kryesisë së Kuvendit sapo është hapur për diskutim çështja e shfuqizimit të Gjykatës Speciale.

Hoti u tha gazetarëve pasi doli nga mbledhja se LDK mbetet në qëndrimin e vet kundër shfuqizimit të Ligjit që e themelon këtë gjykatë, të miratuar nga Kuvendi në gusht të vitit 2015.

“Mbledhja e Kryesisë po vazhdon ende. Ne sapo përfunduam disa pika që kanë mbetur nga viti i kaluar edhe disa të tjera për seancën e re. Te pika ku do të diskutohej për Specialen ne e lëshuam mbledhjen. Qëndrimi ynë dihet. LDK është kundër shfuqizimit. Ishte në rend dite edhe sot. Të shohim si do të vazhdojnë më tutje shumica parlamentare”, tha Hoti.

Ideja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale erdhi më 22 dhjetor të vitit të kaluar kur 43 deputetë nënshkruan kërkesën për një seancë të jashtëzakonshme. Që nga atëherë, kryesia e Kuvendit ka dështuar dy herë që ta vendosë këtë pikë në rend të ditës për shkak të mungesës së kuorumit në kryesi.