Ndertesa e qeverisë, Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Pezullohet Zyrtari Qeveritar i Dyshuar për Mashtrim

Në një komunikatë për medie, Zyra e Kryeministrit njofton se është pezulluar Zahir Bajrami, drejtori i Zyrës për Buxhet dhe Financa në Qeverinë e Kosovës, pasi u arrestua dhe më pas u paraburgos nën dyshimet për mashtrim.

“Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, Fitim Krasniqi ka marrë vendim për pezullimin nga detyra të Zahir Bajramit, drejtor i Zyrës për Buxhet dhe Financa. Kohëzgjatja e pezullimit do të vlejë deri në marrjen e vendimit nga gjykata,” thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Zahir Bajrami u arrestua nga Policia e Kosovës të premten  nën dyshimet se bashkë me djalin e tij i morën para një personi me qëllim të heqjes së një dënimi të shqiptuar nga gjykata.

http://kallxo.com/arrestohet-zyrtari-larte-qeverise-kerkonte-para-per-zgjidhjen-e-nje-rasti-ne-gjykate/

Paraburgimi prej një muaji Bajramit iu caktua të shtunën.

http://kallxo.com/nje-muaj-paraburgim-per-zyrtarin-e-qeverise/

Zyra e Kryeministrit në komunikatë thotë se është e përkushtuar “për të kontribuuar në çdo formë për luftimin e të gjitha dukurive negative, korrupsionit dhe krimit të organizuar , duke respektuar në tërësi të drejtat kushtetuese si dhe në veçanti parimin e prezumimit të pafajësisë”.

Kjo zyrë sqaron se Zahir Bajrami “është pjesë e shërbimit civil në administratën e Zyrës së Kryeministrit që nga data 21 qershor 2004, ndërkaq pozitën e drejtorit për Buxhet dhe Financa të kësaj Zyreje e mban që nga data 05 prill 2005”.