Policë të Shqipërisë - Foto: Facebook

Pezullohen nga Detyra 2 Punonjës Policie në Elbasan

Për shkak se lejuan pajisjen me pasaportë të një shtetasi në kërkim janë pezulluar nga detyra 2 punonjës policie të Elbasanit.

Strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë pas një hetimi disamujor proceduan penalisht 2 punonjës policie në Drejtorinë Vendore në Elbasan me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Nga hetimet rezultoi se punonjësit e Policisë, inspektor F.B., me detyrë SPZ pranë Komisariatit Elbasan dhe Inspektor K.J., me detyrë SPZ pranë Stacionit të Policisë Belsh, nëpërmjet kryerjes së veprimeve në kundërshtim të hapur me ligjin, lejuan pajisjen me pasaportë biometrike të shtetasit A.D., i dënuar me vendim gjykate dhe i shpallur në kërkim.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan caktoi ndaj dy efektivëve të policisë masën e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.

Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka punonjës apo struktura të tjera në përfshirë në aktivitet të kundra ligjshëm, njofton Policia e Shtetit.