Foto: Ilustrim

Pezullohen 3 punonjës të Policisë së Vaut të Dejës

Tre punonjës të Policisë së Vaut të Dejës janë pezulluar nga detyra, lidhur me ngjarjen ku u gjet i vetëvarur 47 vjeçari  A.K., i shoqëruar për disa orë në Polici si i dyshuar për vjedhje.

Policia e Shtetit ka njoftuar se Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka urdhëruar Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave që në bashkëpunim me Prokurorinë të nis një proces verifikimi dhe hetimi.

“Pas verifikimeve paraprake ndaj punonjësve të Policisë të dyshuar si të implikuar me përgjegjësi, Ministri i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të SHÇBA shqyrtimin e çështjes me prioritet dhe marrjen e masave përkatëse deri në hetimin e plotë të ngjarjes nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër”, njofton policia e shtetit.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu sot ka urdhëruar masën e pezullimit nga detyra për P.Ç., Shef i Komisariatit të Vaut të Dejës dhe punonjësit Z.D. dhe P. Zh..

“Materialet përkatëse janë referuar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për ndjekje të mëtejshme penale konform ligjit”, njofton Policia.