Peticioni i dorëzuar në Kuvend | Foto: KALLXO.com

Peticioni për Astrit Deharin Dorëzohet në Kuvend

Aktivistet e shoqërisë civile Besa Luzha, Florina Duli e Rudina Jakupi dorëzuan sot në Kuvend peticionin për ndriçimin e vdekjes së Astrit Deharit.

Peticioni që kërkon hetim të pavarur e transparent për këtë vdekje, dorëheqjen e ministrave të Drejtësisë e Punëve të Brendshme dhe seancë të jashtëzakonshme për Deharin në Kuvend nisi të nënshkruhet të enjten pas protestës në Prishtinë të shoqërisë civile e qytetarëve.

Besa Luzha, njëra nga dorëzueset e peticionit për ndriçimin e vdekjes se Astrit Deharit tha se seanca e jashtëzakonshme duhet të mbahet pas 2 dhjetorit.

“Presim që mbas 2 dhjetorit në momentin e parë të mundshëm të mbahet një seancë për këtë rast. Seanca për Astrit Deharin nuk duhet të pres vitin tjetër,” tha Luzha.

Që nga e enjtja kur pas protestës së shoqërisë civile e qytetarëve në Prishtinë nisi nënshkrimi i këtij peticioni, sipas Luzhës janë mbledhur 23 mijë e 774 nënshkrime.

“Ne i kemi dorëzu 23 mijë e 774 nënshkrime zyrtarisht edhe pse në fakt kemi mbledhur më shumë, sepse ka pasur nënshkrues të vendeve të tjera. Kemi pasur edhe shumë nënshkrime prej diasporës-na i kanë dërguar me email të skenuara po duke mos ditë a do të jenë ato funksionale i kemi lënë me qenë si simbolikë,” sqaroi Luzha.

Për seancë të jashtëzakonshme, ose çfarëdo nisme tjetër legjislative sipas nenit 79 të Kushtetutës së Kosovës duhen 10 mijë nënshkrime të qytetarëve,

Seancë të jashtëzakonshme për Deharin kërkoi edhe “Vetëvendosja” e mbështetur nga AAK-ja e Nisma, por këto tri subjekte nuk mundën t’i sigurojnë 40 nënshkrime deputetësh për një seancë të tillë, ashtu siç kërkohet kur nisma vjen nga deputetët, pas tërheqjes së dy prej nënshkruesve.

http://kallxo.com/nenshkrimin-e-terheq-edhe-deputeti-berisha/

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor derisa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit me raketahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Dy javë pas vdekjes së Deharit raporti i autopsisë i përpiluar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore konstatoi vetëvrasjen e tij. Të njëjtën ditë këtë raport e cilësoi të pabesueshëm Lëvizja Vetëvendosje, aktivist i së cilës ishte Dehari.

http://kallxo.com/mjekesia-ligjore-percakton-se-astrit-dehari-beri-vetevrasje/

Dosja Dehari në KALLXO.com.