Peterle Shpreson se Nuk do të Ketë Zgjedhje të Tjera së Shpejti

Alojz Peterle, shefi Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, tha se nuk do të gëzohej nëse e thërrasin sërish në një kohë të shkurtër që të vëzhgojë zgjedhje në Kosovë.

“Shpresoj që nuk do të më kërkohet së shpejti të vij të vëzhgoj zgjedhje në Kosovë”, tha ai.

Misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve ka prezantuar gjetjet preliminare të vëzhgimit të zgjedhjeve të 19 nëntorit në një konferencë për media.

Alojz Peterle, shefi Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve,  vlerësoi ecurinë e zgjedhjeve si të mirë në përgjithësi.

Megjithatë ai konsideroi se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vendosur një praktikë përmes të cilës shtohen ankesat në Apel dhe që më tej zgjat edhe procesin e certifikimit të rezultateve zgjedhore.

“PZAP i ka zbatuar kornizat kohore të përcaktuara me ligj por, praktika e panelit për të refuzuar ankesat që janë të plotësuara në mënyrë të saktë, pas mbylljes së qendrave të votimit, ka çuar në akumulimin e madh të apeleve [ankesave në apel] pas publikimit të rezultateve që çon në tej zgjatjen e daljes së rezultateve dhe tej zgjatjes së procesit deri te certifikimi i rezultateve”, tha Peterle.

Ai shtoi se nga 505 ankesa të dorëzuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, 177 prej tyre janë pranuar si të bazuara.

Ndërsa gjatë zgjedhjeve të fundit BIRN dhe Internews Kosova ka bërë ankesa të shumta në PZAP për shkeljen e heshtjes zgjedhore shumë nga të cilat kanë rezultuar në dënime të subjekteve politike.