Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Pesë të Arrestuar për Trafikim me Njerëz

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore e Policisë së Kosovës pas një hetimi të bërë ka arrestuar dje në Fush-Kosovë katër të dyshuar për veprat penale trafikim me njerëz dhe shërbime seksuale.

Si vazhdimësi e hetimeve intensive nga njësitet relevante policore sot është identifikuar edhe i dyshuari i pestë, me dyshimin e bazuar për përfshirje në të njëjtin rast të trafikimit me njerëz.

Personat e arrestuar lidhur me këtë rast janë: I.K., Xh.B., B.G. dhe Sh.P., të gjithë meshkuj dhe A.A. femër.

Sipas Policisë, me këtë rast janë identifikuar edhe dy viktima të mitura, të cilat dyshohet se janë shfrytëzuar nga të dyshuarit e arrestuar për shërbime seksuale.

Dy viktimat pas intervistimit janë trajtuar sipas procedurave standarde të veprimit, për asistim dhe mbështetje të viktimave.

Lidhur me këtë rast, me vendim të prokurorit katër të dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, kurse e dyshuara A.A., e mitur është dërguar në mbajtje për 24 orë.