Ilustrim

Përveç Policisë edhe MPB është në proces të regjistrimit të 10 veturave

Në fillim të këtij muaji, KALLXO.com kishte raportuar se në Policinë e Kosovës ka mungesë të veturave pasi që janë të paregjistruara.

KALLXO.com zbuloi se dhjetëra veturave të Policisë së Kosovës, më saktësisht atyre të patrullave, u ka skaduar afati i regjistrimit.

Edhe për operacionet të cilat ishin zhvilluar gjatë ditëve të çlirimit nga ku kanë ardhur përfaqësues të lartë të shteteve të tjera, ishte dashur të bëhej një kombinim i veturave për shkak se ato që ishin pa regjistrim ishin larguar nga qarkullimi.

KALLXO.com ka kërkuar nga ana e Policisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme detaje në lidhje me procesin e regjistrimit të veturave.

Ministria e Brendshme i ka thënë KALLXO.com se janë në proces të regjistrimit të 10 veturave ndërsa veturat e tjera kanë regjistrim valid.

Policia e Kosovës, nuk ka dhënë numër të saktë të veturave që presin të regjistrohen, duke shtuar se në kuadër të Policisë së Kosovës janë një numër i madh i automjeteve zyrtare të llojeve të ndryshme që shërbejnë për polici, të cilat janë si mjet i punës për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive policore.

“Një numër i caktuar prej këtyre veturave, që janë në kuadër të Policisë së Kosovës ku bëjnë pjesë Departamente, Divizione, Rajone dhe njësite policore, u ka skaduar regjistrimi dhe për momentin janë jashtë përdorimit policor, përderisa të regjistrohen/sigurohen. Të gjitha këto automjete të cilave u ka skaduar regjistrimi është kërkuar që në asnjë rast të mos qarkullojnë në trafik, përderisa të përfundojnë komplet procedurat e prokurimit, ankesat dhe afatet kohore të parapara sipas legjislacionit dhe të njëjtat pas regjistrimit të vazhdojnë në qarkullim sipas detyrave policore”, thuhet në një përgjigje për KALLXO.com.

Policia ka arsyetuar mos dhënien e detajeve për numrin e saktë të veturave të paregjistruara.

“Bazuar në detyrat specifike, detyrat konfidenciale në raste dhe operacione të ndryshme ku mund të përfshihen automjetet zyrtare, nuk kemi bërë të ditur detajet e automjeteve, pasi të njëjtat sipas nevojës operacionale transferohen/qarkullojnë nëpër departamente, drejtori dhe njësi të ndryshme policore”, thuhet tutje në përgjigje.

Por ata nuk kanë ngurruar që të tregojnë se nga llojet e veturave që janë pa regjistrim në polici, janë të Skoda, Golf, Toyota e disa të tjera.

“Andaj me qëllim të mos pengimit dhe dëmtimit të mundshëm të detyrave/operacioneve policore nuk kemi përfshirë detajet e automjeteve të cilat i përkasin llojeve/markave te ndryshme si Skoda, Golf, Toyota etj”, thuhet në përgjigjen drejtuar KALLXO.com.

KALLXO.com ka kërkuar në sistemin e E-Prokurimit sa i përket regjistrimit të veturave të Policisë së Kosovës.

Ata kanë hapur një njoftim për kontratë për sigurimin e veturave policore.

Vetëm disa ditë më parë është bërë njoftimi se Policia e Kosovës po kërkon një kontraktor për t’i siguruar veturat që u kanë mbetur pa regjistrim.

Afati për dorëzimin e ofertave ka qenë i hapur deri më 17 qershor.

Në dosjen e tenderit, Policia e Kosovës ka treguar se ka shkurtuar afatin e dorëzimit të tenderëve dhe aplikacioneve.

Por në arsyetimin për këtë çështje ata kanë thënë se është bërë një lëshim teknik që ka të bëjë me sasi ndërsa shton se çdo ditë po shtohet numri i automjeteve të cilave po u skadon sigurimi.

“Arsyeja e shkurtimit të afatit është pasi që tenderin që është shpallë dhe është në fazën e vlerësimit te ofertave është lëshuar një gabim teknik në një pozicion që ka të bëjë me sasi ku për këto lëshime teknike është e njoftuar KRPP me shkrime dhe takimin që kemi pasur si dhe autoriteti kontraktues nuk ka kontratë aktive në lidhje me shërbimet e sigurimit te automjeteve si dhe çdo ditë numri i automjeteve është duke u skaduar sigurimi. Kjo ka të bëjë edhe me kërkesë të Njësisë kërkuese që të shkohet me afate kohore të shkurtuara të publikimit rekomandoj të veprohet konform Ligjit në fuqi dhe nevojës së paraqitur”, është shpjegimi i PK-së në dosjen e tenderit të publikuar në E-Prokurim.

Në njoftimin e E-Prokurorimit të datës 17 qershor, pas mbylljes së afatit të aplikimit, janë publikuar 8 operatorët ekonomik të cilët kanë aplikuar në tenderin e policisë për sigurimin e automjeteve.

https://kallxo.com/bllokohet-policia-dhjetera-makina-te-paregjistruara/

 

.