Stadiumi i futbollit “Gursel e Bajram Sylejmani” Foto: Komuna e Vitisë

Përurohet një stadium futbolli në një fshat të Vitisë

Sot është përuruar stadiumi i futbollit “Gursel e Bajram Sylejmani” në Sadovinë të Jerlive, në komunën e Vitisë.

Pjesë e përurimit të këtij projekti të ndërtimit të fushës ndihmëse të futbollit, ishin edhe ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, tha se deri tani kanë përkrahur ekipet sportive, “Vitia” dhe “Vllaznia”, mirëpo sipas tij, kjo fushë e cila u përurua sot, do të jetë në shërbim të të gjithëve.

Ai shtoi se komuna e Vitisë, po punon në krijimin e hapësirave të mirëfillta për sportistët vitias.

“Në vazhdën e këtij angazhimi, vetëm në një periudhë të shkurtë në komunën e Vitisë, kanë filluar punimet e ndryshme në sektorin e sportit si: stadiumi i qytetit të Vitisë, palestra sportive, rivitalizimi i stadiumit të Pozheranit tani edhe fusha ndihmëse në Sadovinë të Jerlive. Kjo dëshmon se jemi të përkushtuar të mbështesim sektorin e sportit, në mënyrë që të kemi një infrastrukturë të kompletuar për zhvillimin e këtij sektori”, ka thënë Haliti.

Ndërsa ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se kjo është një ditë e veçantë për futbollin kosovar.

“Viti 2018 u kurorëzua me suksese të mira sa i përket sportit individual por edhe kolektiv, si në futboll, volejboll, basketboll etj. Këto janë të arritura të përbashkëta, të cilat duhet çmuar”, ka thënë ministri Gashi.

Në këtë solemnitet, u zhvillua një ndeshje mes veteranëve të ish klubit “Uniteti” dhe “Agromorava”.

Haliti ndau mirënjohje për ministrin Gashi, kryetarin e FFK-së Agim Ademin, mirënjohje post mortum për Fadil Vokrrin, Nexhat Fetahun, KF “Vllaznia” dhe KF”Vitia”.

Foto: Komuna e Vitisë
Foto: Komuna e Vitisë