Personat me shkop të bardhë kërkojnë transport më të lirë

Shoqata e Transportit të Udhëtarëve ka mbajtur takimin e radhës, ku është diskutuar për problemet e personave me nevoja të veçanta në qasjen e tyre në transportin publik, si dhe rreth problemeve në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Halil Kurmehaj nga Iniciativa e Pavarur e të Verbërve, tha se ata po kërkojnë të drejtat e tyre që iu takojnë sipas ligjit dhe të plotësohen kushtet për qasjen e personave me aftësi të kufizuar në transport.

‘’Ne po kërkojmë nga shoqata, që një problem i tillë të rregullohet njëherë e përgjithmonë. Të lirohet bileta për të verbërit siç e cakton Udhëzimi Administrativ. Kërkojmë që nga janari i vitit të ardhshëm të sinjalizohet transporti për të verbërit, sepse një gjë e tillë nuk ka kosto ose kushton shumë pak. Gjithashtu, kërkojmë që të vendosen shenja të qarta se në qoftë se ka persona me aftësi të kufizuar në autobus, të lirohet një vend’’, ka thënë Kurmehaj.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve Ruzhdi Kurtishaj, tha se shoqata dhe të gjithë operatorët privat i kanë përkrahur njëzëri kërkesat e të verbërve, dhe se ato do të fillojnë të aplikohen që nga janari i vitit të ardhshëm.

‘’Në Udhëzimin Administrativ është e paraparë që për personat me nevoja të veçanta bileta të kushtojë 50% më lirë, dhe këtë e kanë përkrahur të gjithë operatorët pa asnjë dallim, në të gjitha komunat e Kosovës’’, ka thënë Kurtishaj.

I pranishëm ishte edhe zëvendës ministri i Infrastrukturës Idriz Selimaj, i cili premtoi përkrahje dhe mbështetje për personat me nevoja të veçanta dhe të verbërit.

Në këtë takim është diskutuar edhe për ngritjen e çmimit të peronizimeve që ka ndodhur të premten, në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, për operatorët që vijnë nga komunat e tjera.

Përfaqësuesit e operatorëve privat nga të gjitha komunat e Kosovës, e kundërshtuan rritjen e çmimit të peronizimeve, që kishte ndodhur ditën e premte nga ana e Bordit Drejtues në Prishtinë. Ndërsa, për të diskutuar për vendosjen e një çmimi dhe tarifave tjera në Stacionin e Autobusëve, u vendos që të mbahet një takim ndërmjet Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve dhe Bordit Drejtues të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë.