Pamje nga gërmimet në kërkim të pagjeturve të luftës. Foto: Facebook/ KQPZh.

Pritjet dhe sfidat për zgjidhjen e fatit të të pagjeturve

Qindra familje nga të gjitha komunitetet vazhdojnë për më shumë se 25 vjet të jetojnë pa përgjigje për fatin e familjarëve të tyre. Rreth 1600 njerëz vazhdojnë të jenë të zhdukur nga luftimet në mes të vitit 1998-1999, ndërsa përpjekja për të zbardhur fatin e tyre pengohet seriozisht nga veprime politike dhe kapacitetet e limituara për të gjurmuar.

Brenda territorit të vendit institucionet nuk i kanë kapacitetet e plota, ndërsa gjurmimi i mbetjeve në Serbi vazhdon të jetë peng i veprimeve politike.

Pas takimit të dhjetorit 2024, në janar të 2025 ishte paraparë që në Bruksel të mbahej takimi i parë i Komisionit të Përbashkët i palës kosovare dhe asaj serbe, për çështjen e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë.

Komisioni i Përbashkët kishte derivuar nga Deklarata e Përbashkët në kuadër të Dialogut dhe ishte ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Takimi ishte paraparë të mbahej më 15.01.2025 në Bruksel, por në fund pala serbe kishte refuzuar që të marrë pjesë. Ky refuzim ka ngritur sërish dilema në prosperitetin e procesit.

Qendra Burimore për Personat e Pagjetur (MPRC), organizatë që është themeluar nga Bajram Qerkini, thotë se dështimi i takimit ka qenë një zhvillim shqetësues.

Sipas kësaj Organizate, ky dështim pengon përparimin e nevojshëm për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Ky takim pritej të siguronte një vazhdimësi të punës së nisur dhe të demonstronte përkushtimin e palëve për të përmbushur obligimet e tyre. Çdo vonesë në këtë proces është vazhdimi i dhimbjes dhe pasigurisë për familjet e të zhdukurve, të cilët tash e më tepër se dy dekada presin drejtësi.” – kanë thënë nga kjo Organizatë.

“Dështimi i takimit në Bruksel mund të jetë rezultat i mungesës së vullnetit politik për të përparuar në këtë çështje, si dhe i tensioneve më të gjera ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Qendra Burimore ka kërkuar vazhdimisht që çështja e personave të zhdukur të trajtohet mbi baza humanitare dhe jo si mjet politik apo si pjesë e negociatave të tjera.”

Në dhjetor të vitit 2024, Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për zbatimin e plotë të Deklaratës së Përbashkët për Personat e Zhdukur, gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve të të dyja vendeve, me të dërguarin e Bashkimit Evropian në Bruksel. Në kuadër të këtij pajtimi kishte pasur dakordim edhe për Komisionin e Përbashkët.

Ndërsa Deklarata e Përbashkët për Personat e Zhdukur ishte arritur në mes palëve në vitin 2023, në kuadër të Dialogut Kosovë – Serbi.

Zotimet që u bën me këtë Deklaratë përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një Komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Agjencia e Statistikave të Kosovës në regjistrimin e fundit të popullsisë tregoi se nga lufta e fundit janë zhdukur 1 mijë e 407 persona, janë plagosur 6 mijë e 682, janë burgosur 3 mijë e 312, si dhe kanë pësuar torturë, dhunë, pasoja psikologjike 193 mijë e 765 njerëz.

Çka ndodh në Kosovë?

Hulumtimi për varreza dhe mbetje mortore për një kohë të gjatë ishte kompetencë e misioneve ndërkombëtare, si: UNMIK dhe EULEX. Nga viti 2014 kompetencat kaluan gradualisht tek autoritetet vendore, të cilat edhe në vitin 2025 nuk i kanë kapacitetet e plota operative.

Të dhënat e BIRN-it tregojnë se Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) ende nuk ka arritur të punësojë një arkeolog mjekoligjor, i cili ndihmon në identifikimin e vendeve ku dyshohet se janë të varrosur persona të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Pozicioni i cili më parë ishte mbajtur nga zyrtarët e EULEX-it nuk është zëvendësuar ende pas transferimit të kompetencave tek autoritetet e Kosovës.

Në mungesë të këtij profesionisti, autoritetet e kanë sfidë të identifikojnë saktë vendet ku mund të jenë të varrosur personat e vrarë.

Ditor Haliti, zëvendësdrejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), thotë se arkeologu mjekoligjor bën analizën e terrenit të dheut, për të verifikuar nëse ajo pjesë më herët ka pasur ndryshime apo ka qenë e çrregulluar.

“Arkeologu mjekoligjor është një profil profesional i cili bën analizën e terrenit të dheut apo të tokës kudo që shkon, në kuptim të vlerësimit se a ka ndryshime, se a ka bazë që ajo pjesë e dheut ka qenë e çrregulluar, e trazuar në të kaluarën, kështu që mund të vlerësohet që aty mund të ketë diçka të fshehur.” – thotë Haliti.

“Ne deri më tani jemi të mbuluar në profilin e arkeologut mjekoligjor nga komponenta e EULEX-it, e cila është e vendosur në IML dhe të cilët kanë brenda tyre këtë ekspertizë të arkeologut mjekoligjor. Duke qenë se janë pjesë e IML-së edhe kjo komponentë e EULEX-it, ne e kemi ekipën e plotë e cila funksionon qoftë në teren, qoftë edhe në Sallën e Antropologjisë”.

Instituti i Mjekësisë Ligjore është institucion në të cilin në mënyrë shkencore bëhet identifikimi i mbetjeve të gjetura në lokacione të ndryshme të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Në pjesën tjetër të operacioneve përreth dy vjet (2023-2024) angazhim institucionet e Kosovës kanë arritur të zbulojnë më pak se 30 mbetje mortore të personave të zhdukur. Rezultatet janë edhe më të vogla në pjesën e Serbisë, ku ekzaminimet në lokacionet e dyshimta nuk janë realizuar gjatë vitit 2024.

Një ekip i hetimeve të krimeve të luftës është krijuar në Policinë e Kosovës. Ata asistojnë autoritetet në rastet e hetimeve për të pagjeturit dhe ndihmojnë në procesin e zhvarrimeve.

Florim Elshani nga kjo Njësi thotë se përgjatë vitit 2023 dhe 2024 Policia ka marrë pjesë në 36 raste të zhvarrimeve në Kosovë.

“Në të gjitha rastet e trajtimit të personave të pagjetur në eksomime marrim pjesë bashkarisht me IML-në, për arsye se Urdhëresa e lëshuar nga Gjykata na obligon dhe domethënë të gjitha rastet në dy vjetët e fundit, domethënë në vitin 2023 janë 21 lokacione ku kemi eksomu. Prej tyre i kemi 15 gjetje të reja dhe disa prej tyre janë edhe ribashkime, ndërsa këtë vit (2024) në 15 lokacione kemi eksomu.” – thotë Elshani.

Raportet nga këto ekzaminime dërgohen më pas në Prokurorinë Speciale. Aty prokurori Ilir Morina thotë se procesi mund të zgjasë deri në 5 vjet.

“Janë 15 procedura të cilat fillojnë. Përfundimi i tyre nuk është çështje që kryhet shpejt. Merr shumë kohë. Merr më shumë se një vjet. Mundet me ndodh më shumë se 5 vjet. Sepse, janë raste të natyrës shumë komplekse. Për shembull, në momentin që në një rast të caktuar Policia merr informacionin për gjetjen mortore të eshtrave, aktivizohet IML-ja, Policia e të tjera, bëhet marrja e sendeve nga vendi ku gjenden. Pastaj dërgohen në IML dhe aty është një mori ekzaminimesh mjekoligjore që kryhen ekspertiza, për të cilat secila prej tyre kërkon kohën e vet. Prandaj është shumë vështirë me dhënë një përgjigje se prej krejt këtyre rasteve, sa kemi pasë rezultat ose jo, por janë çështje që janë duke u proceduar.” – ka thënë prokurori Morina.

Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) përgjatë vitit 2023 ka qenë i përfshirë në 22 aktivitete fushore, si i quajnë ato, në të cilat janë gjetur 16 trupa dhe 17 pjesë trupore.

Ndërsa në vitin 2024 kanë qenë të përfshirë në 24 aktivitete fushore, mirëpo sipas IML-së numri i gjetjeve ka qenë shumë më i vogël.

Ditor Haliti, zëvendësdrejtor në këtë Institut, thotë se për autoritetet e Kosovës është e qartë se ende shumë trupa janë në territorin e Serbisë.

“Ne kemi gjetë mbetje kockore të fragmentuara në varrezë primare në Kosovë, të cilat janë identifikuar, por që mungon trupi kryesor. Automatikisht kjo na bën me dije që pjesa tjetër e mbetur e trupit është në varrezën sekondare në Beograd. Për neve është e qartë që ka ende shumë trupa të cilët janë në territorin serb. Krejt çka duhet është që Beogradi të pajtohet të bashkëpunojë, të hapë arkivat apo thjeshtë të tregojë ku janë këta trupa dhe natyrisht ne jemi të gatshëm të shkojmë së bashku dhe të punojmë.” – ka thënë Haliti.

Qindra persona të vrarë në Kosovë u zbuluan në varrezat masive në Serbi, që nga përfundimi i luftës. Procesi i verifikimit të informacioneve për mbetje të tjera në Serbi tash është i bllokuar.

Andin Hoti nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur përmend disa lokacione në territorin serb, ku dyshohet se ka ende trupa.

“Deri më sot Serbia ka pranu, por nuk kemi fillu punën. Kështu që nuk po muj me thënë që kemi fillu punën, mirëpo edhe këto janë, nëse arrijmë me u qas edhe nëse arrijmë me gjet varrezat masive në këtë lokacion, që është Kozhlje dhe nëse arrijmë me i gjet trupat që ne po i pretendojmë që kanë mbetë në Batajnicë, atëherë mendoj që është diçka që mund të veçohet.” – thotë Hoti.

“Por ne në vazhdimësi po i bëjmë presion Serbisë, sepse jemi të bindur, nuk po them që jemi të sigurt, por jemi të bindur në bazë të trajtimit të informatave që i kemi, që në Batajnicë sidomos kanë mbetë një pjesë e caktuar e mbetjeve mortore të patrajtuara ose të pazhvarrosura në vitet 2000 – në fillim atëherë kur është trajtu ky lokacion.”

25 vjet pas luftës shteti i Kosovës ende nuk e ka një databazë të zhvilluar dhe të hapur për publikun në lidhje me personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ministria e Financave ka një databazë të vetën rreth familjarëve të personave të zhdukur, për shkak të pensioneve që shpërndahen, por një e tillë e qasshme për publikun ende nuk ekziston. Të dhënat për personat e pagjetur mungojnë edhe në uebfaqen e Qeverisë së Kosovës.

Hoti thotë se Kosova ka marrë donacion një databazë nga Komisioni Ndërkombëtar i Personave të Zhdukur, por që nuk është e unifikuar dhe nuk është ende e qasshme për publikun.

“Nuk është që nuk ka qenë një databazë, nuk ka qenë një databazë publike, ka qenë një databazë që ne e quajmë AMPM, por që nuk ka qenë ndoshta e unifikuar në mes të institucioneve të tjera të Kosovës.” – ka thënë ai.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare e konsideron si dështim që shteti i Kosovës nuk e ka një databazë publike.

“Mendoj që është një dështim që edhe 25 vjet pas luftës të mos ketë një databazë elektronike apo një softuer ku mund të futet të dhënat mbi të vrarët, të zhdukurit dhe kategoritë e tjera të viktimave të luftës.” – ka thënë Blakaj.

 

Mungon trajtimi psikologjik për familjarët

Përpos sfidave për identifikimin e mbetjeve mortore dhe hetimin e krimeve të luftës në vend ka sfida serioze edhe në ofrimin e mbështetjes për familjet e të zhdukurve.

Në vitin 2010, Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në atë kohë në Kosovë, Piter Faith kishte kërkuar nga Kuvendi i Kosovës miratimin e një Ligji për Personat e Pagjetur dhe mbështetjen për familjet e tyre.

Zyra Civile Ndërkombëtare besonte se Ligji do të duhej të siguronte mbrojtjen e duhur të të drejtave të personave të pagjetur dhe të afërmve të tyre, si dhe siguria që gjatë zbatimit të Ligjit të mos kishte diskriminime kundër asnjë komuniteti.

Por një gjë e tillë kishte mbetur vetëm si kërkesë, pasi që një Ligj i tillë nuk ishte miratuar asnjëherë nga Kuvendi i Kosovës.

Momentalisht në Kosovë familjet janë të përfshira në një skemë pensionale, por për ta nuk ka mbështetje psikologjike dhe asistencë mjekësore.

 

Raportime të ngjashme – LINK