Hoti thotë se Serbia refuzoi të takohej në Bruksel me Komisionin e Përbashkët për të Pagjeturit

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti ka thënë se pala serbe ka refuzuar që të marrë pjesë në takimin e parë të Komisionit të Përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të Pagjeturit, që ishte planifikuar të mbahej sot më 15.01.2025, në Bruksel.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se kryenegociatori i Serbisë, Petar Pektoviq ka qenë në Bruksel, edhe pse takimi ka qenë i paraparë vetëm për çështjen e të pagjeturve dhe formati, sipas Hotit, ka qenë me zëvendësues të Komisioneve përkatëse të të dyja shteteve.

“Prania e z. Petkoviq në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit.” – ka shkruar Hoti.

Sipas tij, arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje është banal e i dëmshëm për procesin e zbardhjes së fatit të të pagjetuve dhe se nuk ka të bëjë asgjë me temën për të cilën janë thirrur në Bruksel.

“Kjo demonstron për të satën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme. Kjo tregon edhe njëherë politizimin e tejskajshëm të Serbisë, në raport me çështjen e personve të zhdukur.” – ka thënë Hoti.

Në ndërkohë, Hoti ka bërë të ditur se delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe ka paraqitur kërkesat e palës kosovare.

“…për këtë kemi marrë njoftimin nga z. Lajçak, që do të raportohet konstruktiviteti ynë dhe kërkesat tona te vendet anëtare të BE-së.” – ka shkruar në fund Andin Hoti.

Televizioni serb RTS ka raportuar se shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq është larguar nga takimi, për shkak të zhvillimeve lidhur me aksionin policor kundër strukturave ilegale serbe në Kosovë.

“Kryenegociatori i Beogradit, Petar Petkoviq i ndërpreu e u largua nga bisedimet në Bruksel për shkak të terrorit të paparë e dhunës institucionale të Prishtinës e Albin Kurtit ndaj serbëve dhe mbylljes së institucioneve të shumta serbe në Kosovë.” – ka thënë delegacioni i Beogradit, më 15.01.2025.

Me 13.01.2025, i dërguari i veçantë i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak kishte thënë se gjatë kësaj jave në Bruksel fokusi kryesor është te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur.

Së fundmi, në dhjetor të vitit 2024, Kosova dhe Serbia përmes përfaqësuesve të tyre në Dialog janë pajtuar për zbatim të plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur.

Kjo Deklaratë e Përbashkët në mes të dyja shteteve ishte miratuar në maj të vitit 2023, në kuadër të Dialogut dhe përmbante zotime, si: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një Komisioni të kryesuar nga Bashkimi Europian.

Lajçak thotë se fokusi i javës në Bruksel është te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur