FOTO KUVENDI I KOSOVES

Përplasje mes deputetes së AAK-së dhe atij të VV-së

Teuta Haxhiu, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se disa prej kolegëve të saj kishin shëtitur në disa prej vendeve të Europës për ta bërë ligjin më të mirë, por tash po gjejnë vërejte.

“Kam disa shqetësime për Projektligjin e Diasporën. Unë kam pasë shpresu shumë, ngaqë ka ndodhë  diçka që nuk ka ndodhur diçka e tillë në të kaluarën. Ju si ministri keni qenë shumë dorëlirë, dhe i keni marrë të gjithë deputetët kudo nëpër Europë, në shtetet skandinave, deri në Amerikë në turne, dhe në fund gjithë këto kritika prej të njëjtëve, që ju keni paguar shpenzimet me taksat e qytetarëve të Kosovës. Janë po të njëjtit që po ju shkon zani e që e kanë shpenzuar buxhetin e nuk e kanë bërë as edhe një ndryshim të vetëm”, tha ajo.

Tutje deputetja Haxhiu tha se deputetët që udhëtuan në disa prej vendeve të botës duhet t’i arsyetojnë shpenzimet që kanë bërë.

“Pres prej komisionit që ta arsyetojë gjithë atë shpenzim të parasë që e kanë bërë kudo nëpër Europë deri në Amerikë”, tha ajo.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i njërit prej deputetëve që ka qenë në komisionin për Projektligjin për Diasporën.

Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes tha se deputetët janë këtu për të kritikuar Qeverinë. Ai përmendi edhe dy prej pikave diskutabile të ligjit.

“Më provokoi fjalimi i fundit i zonjës Haxhiu, sepse unë bashkë me një kolege të saj, jemi ata që i kemi harxhuar këto para. Paratë janë shpenzuar për të shkuar për të kuptuar problemin saktë, dhe problem i saktë sipas meje është, dhe të cilin e kam formuluar, se më shumë se gjysma e ligjit është shkollimi i fëmijëve në gjuhën shqipe. I dyti prej problemeve që ka dominuar është me ua kriju votimin prej vendeve ku jetojnë. Këto dy problem, shkollimi i fëmijëve në gjuhen shqipe dhe votimi nëpër vendet ku ata jetojnë, nëse këto nuk i referojmë ligjet nuk u adresojmë, atëherë kot është ajo që po diskutojmë”, tha Konjufca.

“Qëllimi i deputetëve nuk është ta lavdojë ministrinë ose Qeverinë, por ta kritikojë”, tha tutje ai.

Ai tha se ka vizituar disa shtete me kolegët deputetë.

“Vizitat kanë qenë në tetë shtete. Unë kam qenë në katër prej tyre, të tjerët kanë qenë në të tetat”, tha Konjufca.

Ai tha se votën për Projektligjin e kanë vetëm deri në leximin e dytë, dhe nëse nuk merren parasysh propozimet e VV-së nuk do të votojnë atë në lexim të dytë.

Por ndaj fjalës së tij ka reaguar deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu. Sipas saj, arsyet e përmendura nga Konjufca janë të turpshme.

“Turp të thuash se u keqkuptuam me ministrinë. Ligji bëhet për diasporë dhe nuk është dashtë të ktheheni e jo të thash tash”, tha ajo.

Kuvendi po vazhdon të diskutojë për Ligjin për Diasporën.