Përplasja e Memli Krasniqit me Ismajl Kurteshin

Gjatë vazhdimit të seancës së Kuvendit të Kosovës kur po pritej të votohej marrëveshja mes Kosovës dhe Komisionit Europian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin Erasmus Plus pati një përplasje mes deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi dhe deputetit të PDK-së, Memli Krasniqi.

Ismajl Kurteshi iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Kydri Veseli se ai para dy jave në seancë kishte thënë që asnjëherë nuk ka parë opozitë më të dobët e tani ai po e sheh forcën e opozitës.

“Deklaratat që i keni thënë para dy jave, si kjo që e keni thënë sot shefi i grupit natyrisht që kanë ndikuar që këto marrëveshje të mos kalojnë dhe përgjegjsëinë për këtë e bartni ju se jeni pakicë e nuk po mundeni vetë me i kalu dhe në vend se të krijoni unitet në mes të grupeve parlamentare po ndokoni që të ndodhë përçarja, vetëdishëm apo pa vetëdije po ndikoni që këto marrëveshje qa të rëndësishme për vendin të mos kalojnë dhe mandej të mundoheni që fajin t’ia hedhni opozitës, faji kryesor bie mbi ju që po deklaroheni në këtë formë kurse unë edhe një here i bëj apel opozitës që të votojnë pavarësisht deklaratave të juaja”, ka thënë Kurteshi.

Kadri Veseli iu drejtua Kurteshit duke i thënë “kjo e fundit ishte ekselente, ajo pjesa e parë dihet se Albini ka me të bërtitë kur ta mbani mbledhjen”.

Memli Krasniqi kërkoi fjalën si replikë kundër Ismajl Kurteshit pasi ai gjatë fjalimit të tij e përmendi atë.

Krasniqi tha se Kurteshi nuk mundet me i moralizu për shkak se ata nuk janë nxënës dhe Kuvendi nuk është klasë.

“Na hinëm në procedure të votimit, z.Kurteshi nuk mundet me na moralizu edhe me na tregu se na nuk jemi nxënës këtu as nuk është klasë kjo, edhe ky nuk është në rolin e mësuesit, unë e di që ka qenë në PDK përpara, tash është në Vetëvendosje e tash koka bo edhe avokat i LDK-së”, theksoi Krasniqi.

Kurteshi kërkoi replikë kundër Memli Krasniqit duke thënë se ai është personi që më së shumti moralizon në Kuvendin e Kosovës.

“Moralizimet thashë që po e dëmtojnë këtë vend dhe njeriu që më së shumti moralizon në Kuvend është Memli Krasniqi dhe mirë është ai me heqë dorë. Ku kam qenë e ku jam sot në Vetëvendosje përherë mundem me e arsyetu atë e veproj, unë po flas si deputet i Kuvendit të Kosovës, nuk po flas as si ish-deputet i një partie tjetër as si deputet i Vetëvendosjes”, ka thënë Kurteshi.

Gjatë votimit të kësaj marrëveshje ndërkombëtare ishin të pranishëm 90 deputetë në sallë por ajo mbeti për seancën e radhës për shkak të mungesës së kuorumit.