Pal Lekaj

Përplasen për taksën Pal Lekaj e Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, janë përplasur lidhur me ‘sanksionet’ nga ShBA-ja ndaj Kosovës për refuzim të pezullimit të taksës ndaj mallrave serbe.

Në debatin në KTV, Tahiri nga radhët e PDK-së tha se sa më shumë që e shtyn Kosova vendimin për pezullim të taksës, aq më shumë do të thellohen sanksionet nga Amerika.

“Ne jemi tu u shty me ato që mos me t’i dëmtojmë relacionet me Amerikën. Ti beson që kjo nuk i dëmton ShBA-të, ata thonë qe i dëmton, edhe kjo ka afektu 15 zyrtarë të Kosovës, nuk kanë mundur të shkojnë në vizita zyrtare si rezultat i sanksioneve dhe sot po don me t’i shkurtu fondet në raport me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me ushtrinë”, tha ai.

Tahiri ka insistuar në vendimin e liderit të partisë së tij, Kadri Veselit, për pezullim të taksës për 120 ditë.

Gjithashtu, sipas tij takimet e shumta që ka mbajtur koalicioni qeveritar lidhur me këtë temë, ai tha se bisedimet kanë filluar të marrin një drejtim.

“Nuk kisha me thënë se takimet janë krejt pa sukses, mendoj që kanë arritë të marrin një drejtim. Ne sot nuk e kemi nga ShBA-të një afat se deri kur mund ta shtyjmë por që mendoj që sanksionet do vazhdojnë duke u thelluar”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ministri Lekaj insistoi se taksa nuk dëmton marrëdhëniet me Amerikën dhe se ajo duhet të qëndrojë.

“Unë e ti nuk jemi tu u shty cili me mbetë me Amerikën. Unë as që dua të besoj që ne mund t’i prishim me SHBA-të. E the që nuk kemi pasur vizita për pavarësi, po kemi pasur, kemi pasur senatorë e të tjerë”, tha Lekaj nga radhët e AAK-së.

Lekaj bëri të ditur edhe se pak minuta para se të dilte në votim taksa 100 për qind, nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti u kishte kërkuar krerëve të koalicionit qeveritar që mos ta votonin.

“Xhavit Haliti ka ardhë edhe ka thënë mos e qitni në votim se nuk është koha, keni m’u prishë me aleatë”, ka thënë Lekaj.

Ndërsa, Tahiri fuqishëm e kundërshtoi atë duke e quajtur spekulim.