Përmes SMS ftohen gratë dhe vajzat të bëjnë PAP testin

Programi u zgjerua edhe në Komunën e Prizrenit.

Sot për herë të parë në Kosovë, vajzave dhe grave në Komunën e Prishtinës, nga mosha 21-65  vjeç, përmes mesazheve telefonike iu janë dërguar ftesa individuale për të bërë PAP testin, në ndonjërën nga Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Projekti u mundësua nga mbështetja e Fondit për Popullsi i Kombeve të Bashkuara–UNFPA,  zyra në Kosovë, dhe nga Ana e Fondacionit “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, me qëllim të vetëdijësimit dhe informimit të vajzave dhe grave për ta bërë PAP testin. Sipas një njoftimi, ofrimi i PAP testeve pa pagesë, si pjesë e programit të Skriningut të Kancerit të Qafës së Mitrës po vazhdon me sukses, në vitin 2018 edhe në Komunën e Prishtinës.

Programi i skriningut të kancerit të qafës së mitrës, përmes Pap testeve, u lansua fillimisht në vitin 2016 dhe deri më tani ka mundësuar realizmin e Pap testeve për gratë në grup-moshat e synuara në tre Qendra të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Në vitin 2018, programi u zgjerua edhe në Komunën e Prizrenit, ku ofrimi i Pap testeve do të fillojë gjatë muajit korrik. Qëllimi i skriningut për kancer të qafës së mitrës është zbulimi i hershëm i qelizave jonormale të qafës së mitrës, në fazat e hershme, kur mund te hiqen me lehtësi para se të zhvillohet kanceri.

“Jemi të lumtur që kemi arritur të praktikojmë standardet ndërkombëtare të programeve të skriningut. Duke shpresuar të kemi një përgjigje nga ana e grave për të kryer PAP testin, Kanceri i Qafës së Mitrës mund të parandalohet!” theksoi Dorina Grezda nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”.

Projekti u mundësua edhe falë bashkëpunimit në mes të Drejtoratit Komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale te Komunës se Prishtinës, Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit, Qendrës Kryesore te Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Institutit të Anatomisë Patologjike pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik në Kosovë dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë./ 21 Media.