USAID - Foto: KALLXO.com

Përmbyllet me sukses programi i USAID-it për të drejtat pronësore në Kosovë

Me një raport të përgatitur nga programi i USAID-it është përmbyllur projekti 5-vjeçar për të drejtat pronësore në Kosovë.

Raporti tregon trende pozitive ndër vite për të drejtat pronësore në Kosovë duke filluar nga rënia e qëndrimit negativ të qytetarëve karshi të drejtave të grave në pasuri, e deri te përqindja e grave që kanë trashëguar pronë në Kosovë.

Pas përfundimit të këtij raporti sipas një ankete rezulton se 70% e grave në Kosovë e konsiderojnë veten pronar të pasurive.

Gjatë shpalosjes së këtij raporti drejtoresha e USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, tha se është krenare për të arriturat e projektit.

“Ne jemi krenar për arritjet e projektit. E keni bërë një punë të madhe. Për këtë falënderoj ekipin dhe partnerët tanë qeveritarë”, tha Magno.

Të pranishëm në programin përmbyllës ishin edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci.

Ministri Tahiri falënderoi ShBA-të për ketë raport dhe u zotua për implementimin e strategjisë për të drejtat pronësore.

“Falënderoj Shtetet e Bashkuara për shpenzim të taksave të amerikaneve për Kosovën. Pa dyshim do të vazhdojmë edhe më tutje angazhimin tonë në implementimin e kësaj strategjie”, tha Tahiri.

BIRN përmes ATRC-së është njëri nga partnerët e angazhuar nga Programi për të Drejtat Pronësore të ATRC-së.

Gjatë këtij angazhimi më shumë se 4-vjeçar, BIRN ka prodhuar me dhjetëra artikuj, analiza, emisione televizive që shpërfaqin vështirësitë e grave dhe vajzave për realizimin e të drejtave pronësore.

Po ashtu, BIRN përmes përpilimit të rekomandimeve në lidhje me pakon e ligjeve që prekin të drejtat e grave në trashëgimi, Projektligjit për plotësimin e ndryshimin e Ligjit për Trashëgiminë, Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Procedurën Jokontestimore dhe Projektligjit për Noterinë, BIRN ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e pozitës së gruas në procedurat trashëgimore.

Disa prej rekomandimeve shumë të rëndësishme të dhëna nga BIRN, siç është video dhe audio incizimi i rasteve të heqjes dorë nga trashëgimia tek noterët, tanimë janë pjesë e Ligjit në zbatim dhe përbëjnë mekanizma shumë të rëndësishëm të sigurisë për gratë dhe vajzat.

Po gjatë këtij programi, BIRN gjatë debateve zgjedhore fillimisht ka kërkuar zotimin e kandidatëve për kryetarë të komunave të tregojnë se a e kanë të regjistruar pronën e përbashkët në emër të dy bashkëshortëve ndërsa pas zgjedhjeve ka dërguar më shumë se 2.000 kërkesa te zyrtarët publikë përmes të cilave ka kërkuar nga zyrtarët publikë të dhëna nëse kanë regjistruar pronën e tyre në emër të përbashkët.

Qëllimi i gjithë kësaj fushate ishte të vetëdijesojë fillimisht zyrtarët publikë dhe pastaj gjithë opinionin në lidhje me rëndësinë e regjistrimit të pronës së përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Pjesë tjetër shumë e rëndësishme e angazhimit të BIRN ishte edhe publikimi i hulumtimeve në  lidhje me përfshirjen e grave dhe vajzave në vendimmarrje, duke filluar nga niveli lokal dhe përfaqësimi në drejtoritë komunale e deri te niveli qendror.

BIRN do të vazhdojë të angazhohet edhe në të ardhmen për fuqizimin e grave në procedurat e trashëgimisë përmes avokimit edhe në Kodin Civil që është në procedurat e draftimit në Qeverinë e Kosovës.