Përmbajtja e deklaratës së policit të arrestuar të Drenasit

Polici nga Drenasi, i dyshuar për keqpërdorim seksual dhe ndërprerje të palejuar të shtatzënisë, ka mohuar para Gjykatës dyshimet ndaj tij.

KALLXO.com ka konfirmuar nga burime të veta përmbajtjen e deklaratës së policit V.V., i cili përpos që ka mohuar dyshimet, ka dhënë edhe disa sqarime.

V.V. siç mëson KALLXO.com nuk ka pranuar veprën ndërsa ka thënë se nuk ka gisht në ato çka Prokuroria pretendon se ai i ka kryer.

“Pretendimet nuk qëndrojnë. Në viti 2017 unë nuk jam marrë me rastin, nuk e kam trajtuar rastin, nuk kam dhënë kurrfarë kontributi”, citohet të ketë thënë V.V para gjykatësit.

Ai citohet se ka thënë se me rastin është dashur të merret një police femër dhe ai nuk kishte lidhje me këtë ngjarje.

I dyshuari në deklaratën e tij dhënë në Gjykatë ka thënë se nuk e ka takuar viktimën në Polici.

Dosja e cila do publikohet pas pak në KALLXO.com sjell edhe detaje të reja për vendet ku dyshohet se ishin kryer marrëdhëniet seksuale e po ashtu shumën e parave të paguara.

V.V. është arrestuar dje nën dyshimet për abuzim seksual të një vajze të lindur në vitin 2000, e cila në kohën kur e kishte paraqitur rastin në Polici ishte 16 vjeçare ndërsa sipas dosjes ajo kreu një abort gjatë këtij viti në kohën kur ishte 18 vjeç.