Përleshje fizike në degën kryesore të LDK-së në Mitrovicë

Në njërin prej kuvendeve zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë sot ka pasur përleshje fizike.

Kryetari i degës së LDK-së, Safet Kamberi, e ka konfirmuar për KALLXO.com se disa pjesëmarrës janë përleshur ndërmjet vete për shkak të disa pakënaqësive në kuvendin zgjedhor të kësaj partie.

Të pranishëm në këto kuvende zgjedhore kanë qenë anëtari i kryesisë, Avdullah Hoti dhe nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova.

“Me z. Haki kemi monitoruar kuvendin zgjedhor Ilirida, ku kemi konstatuar se nuk ka pasur kushte për të vazhduar punën sepse ka pasur persona të partive të tjera dhe ka pasur parregullsi gjatë punimeve. Në kuvendin në qendër, ku ka qenë prezent z. Hoti, ku gjatë punimeve të kuvendit ka pasur përleshje fizike ndërmjet disa personave dashakeq të Lidhjes Demokratike e Kosovës. Policia ka qenë e pranishme në vendngjarje”, ka pohuar Kamberi.

Safet Kamberi po ashtu ka deklaruar se së bashku me kryesinë zgjedhore do t’i shohin mundësitë e pezullimit të tërësishëm të aktivitetit në Mitrovicë ose të ndonjë zgjidhjeje tjetër.