Seanca për caktimin e masë së sigurisë ndaj katër të dyshuarve për rrahjen në tregun e Rogovës së Hasit - FOTO KALLXO

Përleshja me armë në Rogovë të Hasit, Gjykata vendosi për masën e sigurisë për katër të dyshuarit

Në përleshjen e katër personave që ndodhi të Hënën në fshatin Rogovë, Gjykata Themelore e Gjakovës ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji vetëm ndaj dy prej tyre.

Për të pandehurit K.H. dhe Sh.B., Gjykata aprovoi kërkesën e Prokurorisë dhe i la në paraburgim për një muaj, gjerë me datën 15 nëntor.

Ndërsa për të pandehurit A.H. dhe L.H., ju është caktuar masa e arrestit shtëpiak në periudhën prej një muaji.

Në arsyetimin e vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake Gëzim Pozhegu, thuhet se kjo masë ka qenë e domosdoshme, për shkak se të njëjtit mund ta përsërisin veprën penale apo edhe të ikin.

Gjithashtu të njëjtit mund edhe të ndikojnë tek dëshmitarët, të fshehin provat ose t`i asgjësojnë ato, thuhet në vendimin e gjyqtarit Pozhegu.

KALLXO.com raportoi dje për mbajtjen e seancës paraprake pas kërkesës së prokurorit Agron Matjani, për caktimin e paraburgimit ndaj të njëjtëve.

“Tre të pandehurit K.H, A.H, L.H, kanë kryer veprën e sulmit në bashkëkryerje, pasi që me dashje kanë përdorur forcën duke iu bërtitur dhe vërsulur ndaj të dëmtuarve V.B. dhe L.K., të cilët kanë qenë duke rrënuar një objekt i cili gjendet në tregun e fshatit Rogovë dhe në ndërkohë i pandehuri K.H. me kondak të armës i ka rënë në kokë V.B.”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

https://kallxo.com/te-dyshuarit-per-rrahje-ne-tregun-e-rogoves-se-hasit-dalin-para-gjykate-se-gjakoves/

Për veprimin e K.H. me kondak të armës Prokuroria pretendon se i njëjti ka kryer edhe  veprën e lëndimit të rëndë trupor ndaj V.B.

Ndërsa për Sh.B. Prokuroria dyshon se ditën kritike kishte gjuajtur më armë dhe ishte larguar nga vendi ngjarjes, duke kryer veprën e përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Kjo përleshje dyshohet se ka ndodhur për shkak të një tregu, të cilin e kishte ndërtuar dhe pasur në shfrytëzim i pandehuri K.H., por me vendim të Komunës ai i është ndarë familjes së të dëmtuarit V.B., i cili ka rrënuar të njëjtin objekt.

https://kallxo.com/policia-jep-detaje-rreth-perleshjes-ne-rogove/