Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

Përkthimi i librave në UP, Apeli ua ashpërson dënimet dy të akuzuarve

Gjykata e Apelit për të dytën herë ua ka ashpërsuar dënimet  Albert Rakipit dhe Hakif Veliut në lidhje me përkthimin e librave në Universitetin e Prishtinës.

Me vendimin e kësaj Gjykate, Rakipi dhe Veliu dënohen me nga 1 vit burgim efektiv.

Në lidhje me ketë rast i akuzuar ishte edhe ish rektori i UP-së, Enver Hasani.

Në tetor të vitit 2017 ish-rektori i UP-së, dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani bashkë me Albert Rakipin dhe Hakif Veliun ishin shpallur fajtorë.

Dënimin me të madh e kishte marrë Enver Hasani, ai ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht ndërsa dy të akuzuarit e tjerë ishin dënuar me nga gjashtë muaj burgim.

Të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Prishtinës, avokatët mbrojtës dhe prokurorja e shtetit kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit

Duke vendosur sipas ankesave në maj të vitit 2018, Gjykata e Apelit e kishte shpallur të pafajshëm ish-rektorin e UP-së, Enver Hasanin, ndërsa dy të akuzuarve Albert Rakipit dhe Hakif Veliut ua kishte ashpërsuar dënimin në nga 1 vit burg.

Prokurorja Speciale Drita Hajdari e pakënaqur me vendimin e Apelit kishte paraqitur mjete të jashtëzakonshme në Gjykatën Supreme të Kosovës, njëjtë kishin vepruar edhe avokatët mbrojtës të Albert Rakipit dhe Hakif Veliut.

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës e kishte vërtetuar pafajësinë e Enver Hasanit, ndërsa për dy të akuzuarit e tjerë rastin ia kishte kthyer Apelit për rivendosje për shkak të shkeljeve procedurale me rastin e mos njoftimit për mbajtjen e kolegjit.

Pas mbajtjes së Kolegjit në Gjykatën e Apelit, u vendos njëjtë sikurse ishte vendosur një vit më parë.

Hakif Veliu akuzohet se si shef i prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare – ISN, kanë kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë në bashkëkryerje lidhur me rastin e realizmin e kontratës për përkthimin e librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe për nevojat e UP-së.

Bashkë me ta akuzohej edhe ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanin i cili në kohën kur kishte ndodhur rasti ishte rektor i Universitetit të Prishtinës.

Kontrata e lidhur në mes të UP-së dhe ISN-në mbante datën 5 dhjetor 2012, ndërsa vlera e përgjithshme e saj ishte 500 mijë euro dhe çmimi i pagesës ishte përcaktuar 12,65 euro për 1000 fjalë.

Prokuroria pretendonte se 3 ditë pasi që ishte nënshkruar kontrata, zëvendësdrejtori i ISN-së, Jorgji Qirjako i kishte dërguar rektorit Enver Hasani një kërkesë për ndryshimin e kontratës nga njësia matëse “fjala” në njësinë matëse “karaktere”, ndërsa pastaj i akuzuari Hakif Veliu sipas marrëveshjes me Enver Hasanin, kanë përpiluar një kontratë të re me të cilën kanë ndryshuar nenin 17 të kontratës origjinale të datës 5 dhjetor 2008.

Në aktakuzën e prokurores Drita Hajdari thuhej se pikërisht neni 17 ishte ndryshuar në atë formë që në vend të çmimit 12.65 euro për 1000 fjalë, ishte shënuar çmimi 12.65 euro për 1000 karaktere duke i mundësuar kështu ISN-së, përfitim më të madh për sasinë e njëjtë të shërbimit dhe për të sjellë në lajthitje personat e autorizuar të UP-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Hakif Veliu, në kontratën e falsifikuar ka mbajtur numrin dhe datën e kontratës origjinale dhe atë kontratë ish-rektori Enver Hasani më datë 13 dhjetor 2008  sipas prokurorisë e kishte dërguar në Tiranë për ta nënshkruar i akuzuari Rakipi.

Sipas kontratës së ndryshuar, prokuroria pretendon se më 13 korrik 2009 është dërguar në UP fatura për përkthimin e 8 librave me çmim prej 78.999,25 euro e llogaritur sipas njësisë matëse “karaktere”, e që sipas kontratës origjinale do të kishte kushtuar 14.991, 91 euro.

Aktakuza përshkruante se i akuzuari Rakipi në fatura e ka shënuar shenjën 1000/F, gjë që tek anëtarët e Komisionit të UP-së për pranimin e materialit të përkthyer, ka krijuar lajthitje se llogaritja e përkthimit është bërë me njësinë matëse “fjala” dhe kështu ky komision ka rekomanduar ekzekutimin e pagesës.

Prokurorja Drita Hajdari, pretendon se si rezultat i ndryshimit të kontratës origjinale, ISN siguroi një përfitim të kundërligjshëm financiar në shumë prej 70 mijë eurove.