Përkrahja e fuqishme e Adem Grabovcit për punësimin në Klinë

Më shumë se 5 muaj nga koha kur u ngrit aktakuza 85-faqeshe në rastin e aferës së përgjimeve ‘Pronto’, është caktuar data e gjykimit të këtij rasti ku 11 persona akuzohen se kanë shkelur të drejtën e statusit të barabartë të banorëve të Republikës së Kosovës.

Një hetim i nisur nga EULEX-i ndaj ish- deputetit të PDK-së, Adem Grabovci, për kohën sa ai ishte zëvendësministër në vitet 2008-2010 përfundoi me mbylljen e hetimeve ndaj tij në vitin 2014.

Megjithatë, përgjimet e siguruara gjatë këtij hetimi shërbyen për nisjen e një hetimi të ri pasi rrodhën në media dhe shërbyen për nisjen e një hetimit të ri që përfundoi me ngritjen e aktakuzës që në bazë të përshëndetjes italiane mori edhe emrin si rasti “Pronto”.

KALLXO.com sjell detajet e aktakuzës që për më shumë se 5 muaj u mbajt dhe po mbahet larg syve të publikut nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Protagonistë të pikës së dytë të aktakuzës “Pronto” janë përsëri Adem Grabovci dhe Ilhami Gashi ndërsa në këtë pikë u shtohet edhe Sadat Gashi.

Grabovci si deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të PDK-së, Ilhami Gashi si sekretar i përgjithshëm në MPB-së si dhe Sadat Gashi si këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme akuzohen se kanë shkelur statusin e barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës së rastit të njohur si “Pronto”, të akuzuarit kanë krijuar privilegje dhe përparësi mbi bazën e përkatësisë politike për punësimin e Afrim Dautit.

Aktakuza përshkruan se në periudhën kohore 5 dhjetor 2011 deri më 19 dhjetor 2011 në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil përmes bisedave telefonike kanë bashkëpunuar për punësimin e Afrim Dautit në pozitën Koordinator i Qendrës së Regjistrimi Civil në Klinë.

Për dallim nga pika e parë e aktakuzës ku përpjekja e të akuzuarve kishte dështuar, këtë herë punësimi është realizuar. Por, sipas Prokurorisë duke mohuar e kufizuar të drejtat e personave tjerë që kanë konkurruar në konkursin e 7 dhjetorit 2011.

Këto pretendime prokurorja e rastit Drita Hajdari i ka mbështetur në përgjimet telefonike në periudhën mes 5 e 12 dhjetorit 2011. Sipas arsyetimit të aktakuzës më datë 5 dhjetor 2012 në mënyrë të kundërligjshme kanë bashkëvepruar për caktimin e Afrim Dautit në pozitën e Koordinatorit të Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunë e Klinës sipas konkursit të 7 nëntorit 2011.

Kështu, në bisedën e datës 5 dhjetor 2012 i pandehuri Adem sipas aktakuzës e pyet të pandehurin Sadat për kandidatët përveç Afrim Dautit dhe pasi që i pandehuri Sadat i tregon emrat që kishin konkurruar, Hajdar Shala, Ilir Deska, Fetah Rrusha, Kushtrim Haxha dhe Afrim Dauti, i pandehuri Adem i thotë “Afrim Dauti, përfundimisht Afrimi”, përshkruhet në arsyetimin e aktakuzës së rastit “Pronto”.

Në këtë bisedë, sipas aktakuzës inkuadrohet edhe i pandehuri Ilhami Gashi, i cili e pyet të pandehurin Adem: A e ki fuqishëm këtë situatë”, ndërsa i pandehuri Adem përgjigjet “shumë fuqishëm” dhe në pyetjen e të pandehurit Ilhami a me anuluar konkursin për së dyti apo të vazhdojë, i pandehuri Adem i thotë që Afrim Dauti është shumë i mirë dhe se garanton për atë ndërsa i pandehuri Ilhami i thotë” Hajde u kry pra”.

KALLXO.com ka provuar të gjejë një kontakt të Afrim Dautit apo të Qendrës së Regjistrimit Civil në Klinë por nuk ka mundur. Gjithashtu përmes kontaktit me Agjencinë Qendrore të Regjistrimit Civil na është dhënë një numër me pretendimin se ky numër është i Qendrës së Regjistrimit Civil në Klinë por i njëjti nuk ka funksionuar.

Në lidhje me këto pretendime, i akuzuari Adem Grabovci më 14 shtator 2016 dhe 26 maj 2017 ka zgjedhur të mos deklarohet dhe ta shfrytëzojë të drejtën e tij për heshtje, evidenton aktakuza.

Sikurse Grabovci edhe i akuzuari Ilhami Gashi ka zgjedhur të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje në Prokurori.

I pandehuri Sadat Gashi në mbrojtjen e tij të dhënë në Prokurorinë Speciale më 31 tetor 2016 ka deklaruar se në periudhën janar 2010 – janar 2014 ka punuar si këshilltar i lartë politik i ministrit për Punë të Brendshme Bajram Rexhepi.

Në aktakuzë përshkruhet se i pyetur se kush është personi Afrim Dauti, të cilin gjatë bisedës me Adem Grabovcin e rekomandon për një pozitë në Pejë, i pandehuri fillimisht deklaron se nuk e njeh mirëpo pastaj pohoi se në Pejë ka qenë e mundur të bisedohet vetëm për dy pozita dhe atë Koordinator i Qendrës për Regjistrim Civil apo i Qendrës për Regjistrim të Automjeteve mirëpo nuk i kujtohet për cilën pozitë mund të jetë fjala e as personi me emrin Afrim Dauti.

I akuzuari gjithashtu në mbrojtjen e tij në Prokurori ka deklaruar se nuk është anëtar i asnjë partie politike dhe se këshilltarin e zgjedh ministri me emërim dhe pa konkurs ndërsa për raportet me Adem Grabovcin thotë se mund të jetë takuar në qeveri apo ndonjë aktivitet të partisë ndërsa për përdorimin e fjalës “shef”, në raport me Grabovcin thotë se nuk ka domethënie por e përdor në komunikim.

KALLXO.com do të vazhdojë të sjellë detajet e aktakuzës së rastit “Pronto”.