Foto: BE

Përgjigja e Haradinajt në letrën e Mogherinit - Dokument

Pas letrës së 12 dhjetorit që përfaqësuesja e lartë e BE-së, Frederika Mogherini i kishte dërguar kryeministrit Ramush Haradinaj, ky i fundit i ktheu përgjigje 3 ditë pas.

Në letrën e 15 dhjetorit, të cilën Haradinaj e ka dërguar në Bruksel, ndër tjera përmendet edhe draft platforma që kryeministri e ka prezantuar para zyrës së BE-së në Prishtinë dhe ambasadorëve të akredituar në Kosovë.

Për më tepër thuhet se Haradinaj pret ta takoj përfaqësuesen sot (e hënë – 17 dhjetor) dhe të flasin më në detaje për tarifën 100%.

“Në perspektivën time, ka kaluar koha kur çështjet si kjo mund të zgjidhen në izolim”, thuhet në letrën e Haradinajt.

Më pas përmenden 20 vjet pas luftës, 10 vjet pas pavarësisë dhe 5 pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, dhe siç thuhet rezultatit minimal të rezultateve nga këto marrëveshje.

“Çka tash duhet është një iniciativë e re që të avancoj dialogu në nivel ku temat si kjo e tarifave janë të përfshira në një marrëveshje gjithëpërfshirëse/më të gjerë”, thuhet në letër.

Haradinaj thotë se pret ta takoj gjatë ditës së sotme Përfaqësuesen e Lartë në Bruksel dhe të flas më detaje për këtë temë, si dhe të marr përgjigjen e saj.

“Roli i BE-së është krucial në arritjen e marrëveshjes finale”, përfundon letra.

Letra kthyese e Haradinajt tek Mogherini

Dje në media është raportuar se Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, komisionerja për Tregti Cecilia Malmstrom dhe komisioneri Johannes Hahn në një letër të përbashkët drejtuar kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ofrojnë opsion për zgjidhjen e problemit të tarifave ndaj Serbisë.

“Ofrojnë mes tjerash që emërtimi “UNMIK” në CEFTA të zëvendësohet me “Kosova*”. Por kërkojnë që, si shenjë e vullnetit të mirë, para të hënës 17 dhjetor, kur në Bruksel zhvillohet takimi i Këshillit të MSA-së, Kosova përkohësisht të suspendojë zbatimin e vendimit për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, thuhej në këtë letër.