Zgjedhjet në Maqedoni - Foto: REL/MIA

Përfundon procesi i votimit në Maqedoninë e Veriut

Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjen e presidentit të ri në Maqedoninë e Veriut.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 18.30 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 39.71 përqind e trupit të përgjithshëm votues, apo rreth 600 mijë qytetarë nga afër 1.8 milion me të drejtë vote.

Bazuar në rrjedhën e procesit, sipas KSHZ-së, dalja në votime në këto zgjedhje pritet të arrijë pak mbi 40 për qind. KSHZ-ja ka bërë të ditur se procesi zgjedhor u zhvillua kryesisht në atmosferë të qetë dhe demokratike.

Edhe Ministria e Punëve të Brendshme procesin zgjedhor e ka vlerësuar si demokratik, pa asnjë incident serioz.

Lidhja Social-demokrate e kryeministrit Zoran Zaev, që në zgjedhje garoi me Stevo Pendarovskin ka përshëndetur rrjedhën e procesit zgjedhor duke e cilësuar si “skandinav”. Nga LSDM-ja thanë se presin fitoren e kandidatit të tyre.

“Maqedonia e Veriut të dielën ka treguar pjekuri të lartë demokratike duke organizuar zgjedhje skandinave. Maqedonia zbatoi zgjedhje të lira demokratike. Institucionet mundësuan që qytetarët në mënyrë të lirshme të shprehin vullnetin e tyre. Presim që fitues i zgjedhjeve të shpallet kandidati jonë Stevo Pendarovski”, ka deklaruar Aleksandar Kiracovski nga shtabi zgjedhor i LSDM-së.

Ndërkaq, Aleanca për Shqiptarët, procesin zgjedhor e ka vlerësuar të rregullt, por ka shprehur brengosjen për daljen e ulët në votime

“Kjo dalje tregon edhe shqetësimin tonë të theksuar gjatë fushatës. Një çerek i popullatës nuk është në vend ndërsa kemi edhe listë zgjedhore të papastruar”, ka deklaruar Vlera Gjakova nga shtabi i kandidatit shqiptar për president, Blerim Reka./REL