Përfundon intervistimi i Maxhunit në lidhje me gylenistët

Shpend Maxhuni ka përfunduar raportimin e tij para Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me dëbimin e gylenistëve nga Kosova.

Xhelal Sveçla nga ky komision tha se kanë vërejtur shkelje në procedurat e deportimit të shtetasve turq.

“Komisioni e ka ftuar të jap deshminë e tij. Ai para komisionit ka dëshmuar për atë se çfarë di në lidhje me deportimin e shtetsave turq. Do të intervistohen edhe persona të tjerë në të ardhmen. Janë identifikuar një numër  i madh i shkeljeve që kanë ndodhur në lidhje me deportimin e shtetasve turq. Jemi duke e formuar një mozaik pak e nga pak për të formësuar tamam një raport. Për këtë raport kemi kohë një muaj”, tha Sveçla.

Ai shtoi se ende nuk kanë ftuar kryeministrin dhe presidentin për të raportuar lidhur me këtë çështje.

“Ende nuk ka shkuar ftesa për intervistim tek kryeministri dhe presidenti. Deri tash nuk kemi pasur refuzim të atyre që do të ftohen para komisionit. Kemi mangësi në dokumentacion. Përveç marrjes së materialeve kemi kuptuar që disa institucione nuk na kanë dhënë materialin e plotë por nuk mund të hyjmë në detaje se kush na ka dhënë informacione ose jo”, tha Sveçla.

Raportimi i Shpend Maxhunit para Komisionit Parlamentar lidhur me dëbimin e gylenistëve nga Kosova u mbyll për media.

Muharrem Nitaj nga AAK propozoi që intervistimi i Maxhunit të bëhet pa prezencën e mediave.

Intervistimi i Maxhunit u bë me dyer të mbyllura, kërkesë kjo e cila u kundërshtua nga LVV dhe LDK.

https://kallxo.com/mbyllet-per-media-raportimi-i-maxhunit-per-gylenistet/