Autostrada "Ibrahim Rugova" - Foto: Ministria e Infrastrukturës

Përfundon greva e transportuesve rrugor të regjionit të Prizrenit

Këshilltari në Ministrinë e Infrastrukturës, Pjeter Ndou dhe drejtori i departamentit të transportit, Xhemë Veseli kanë pritur në takim kryetarin e shoqatës së transportuesve rrugor të Kosovës, anëtar i kryesisë së Odës Ekonomike të Kosovës, Ruzhdi Kurtishi, dhe përfaqësues të shoqatës së transportuesve nga regjioni i Prizrenit.

Gjatë takimit, MI dhe Shoqata e Transportuesve u pajtuan që të ndërpritet greva dhe të vazhdohet operimi normal i linjave Prizren- Prishtinë dhe anasjelltas.

“Ndou dhe Veseli, dëgjuan ankesat dhe kërkesat e shoqatës, të cilat i shtyen për të hyrë në grevë dhe pas diskutimeve konstruktive, të dyja palët ranë dakord që të ndërpritet greva dhe të vazhdohet me operim normal të linjave të rregullta, Prizren – Prishtinë dhe anasjelltas” thuhet në komunikatën e MI.

Ministria e Infrastrukturës, gjegjësisht departamenti i transportit rrugor në bashkpunim me operatorë, shoqatat dhe të tjera palë relevante siguruan shoqatën se në afat sa më urgjent do t’i trajtojnë dhe zgjidhin të gjitha problemet që i kanë transportuesit.

https://kallxo.com/linjat-e-autobuseve-prizren-prishtine-ne-greve/