Gjykimi i Tahir Zenelit - Foto: KALLXO.com

Përfundon gjykimi ndaj ish-kryetarit të bordit të ‘Kosova Thëngjillit’

Në gjykimin ndaj ish-kryetarit të bordit të “Kosova Thëngjilli”, Tahir Zenelit, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dëshmi ka dhënë Isak Shala.

Dëshmitari Shala deklaroi se iniciuesi i kësaj çështjeje kishte qenë njëri prej anëtarëve të bordit, Hamit Leci, i cili sipas tij kishte pasur interesa personale që të ngritet në pozitë.

“Sa kam njohuri iniciuesi i kësaj procedure penale ka qenë z.Hamit Leci. Ai ka pasur interesa personale që të ngrit këtë çështje, sepse ka qenë ngritja në pozitë dhe thyerjet në mes tij dhe të akuzuarit. Në atë kohë kemi punuar në kushte të vështira , kemi punu ku punëtori është paguar 50 euro në muaj dhe pengesat kanë ardhur nga të gjithë punëtorët”, rrëfeu Shala.

Dëshmitari Shala ka thënë se në vitin 2010 kishte punuar në shoqërinë aksionare “Kosova Thëngjilli”, në pozitën e shërbimeve njerëzore, dhe sipas kësaj pozite ai tha e kishte mbajtur procesverbalet nga seancat e bordit drejtues të “Kosova Thëngjilli”.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Hamdi Ibrahimi, se a i kujtohet ndonjë bisedë apo vendim i çështjes që ishte prezantuar në lidhje me blerësit e kompanisë “Pollogu”, dëshmitari u përgjigj se për blerësit e kompanisë “Pollogu” ishte diskutuar për një kohë të gjatë, mirëpo në atë kohë ai tha se nuk kishin pasur shitje të thëngjillit, dhe se sipas tij kishte qenë shumë problem shitja e tij, sepse vlera e karburanteve ishte e ulët, ndërsa me dijeninë e tij çmimi i thëngjillit nuk kishte lëvizur tash e 15 vite.

Shala tregoi se nga udhëheqësit e financave në atë kohë ishte marrë një vendim për një përqindje të zbritjes së çmimit për disa konsumatorë- blerës që furnizoheshin me sasi më të madhe të thëngjillit.

Tutje dëshmitari Shala tha se për kompaninë “Pollogu” bordi kishte aprovuar një ofertë që t’i furnizojë me thëngjill se sipas tij ky vendim ishte marrë me shumicë të votave.

“Unë e di që në lidhje me kërkesën e kompanisë “Pollogu”, bordi është takuar dhe ka mbajtur një mbledhje dhe unë kam mbajt procesin, dhe kur janë takuar përsëri pa qenë prezent unë, besoj që kanë vendosur diçka, dhe me sa e di unë ka qenë edhe vendimi”, shtoi Shala.

Në fund të dëshmisë së tij Shala shtoi se edhe një punëtor më i thjeshtë i KEK-ut kishte pasur kapacitet t’i pengonte në lidhje me thëngjillin.

Vlen të ceket se ky shqyrtim gjyqësor më 1 nëntor 2018 ishte rihapur për t’u dëgjuar dëshmitari i lartcekur.

Kurse sot gjykimi ka filluar rishtazi dhe të gjitha veprimet e mëparshme janë konsideruar si të lexuara.

Po ashtu në seancën e sotme prokurori i shtetit Rafet Halimi ka bërë precizimin e aktakuzës për vlerën e dëmit të shkaktuar që sipas Prokurorisë është 108.371.84 euro.

Në fund të seancës gjykatësi Hamdi Ibrahimi e shpalli të mbyllur këtë proces gjyqësor dhe i njoftoi palët se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 22 korrik.

Tahir Zeneli akuzohet se e ka keqpërdorur pozitën zyrtare sa ishte në cilësinë e kryetarit të bordit të shoqërisë aksionare “Kosova Thëngjilli”.

Sipas aktakuzës, Zeneli ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Pollogu”, në kundërshtim me vendimin e Bordit të Sh.A. “Kosova Thëngjill”, duke i shkaktuar kompanisë humbje materiale në shumën prej 130.971,84 euro, edhe pse në mbledhje të bordit të “Kosova Thëngjillit” ishin caktuar kushtet të cilat duhet t’i plotësonte kompania për të lidhur kontratë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces.

https://kallxo.com/gjykata-ne-hall-nuk-di-ta-denoje-apo-ta-liroje-te-akuzuarin-per-thengjill-e-rihape-procesin/

www.kallxo.com