Përfshirja e dyshimtë e komunarit të Skenderajt në shkurorëzimin e çiftit nga Gjermania

Aktakuza e Prokurorisë e ka ulur në bankën e të akuzuar Kujtim Bekajn, zyrtarin e Komunës së Skenderajt që merret me certifikatat e vendbanimit të qytetarëve.

Ai akuzohet se ishte futur në regjistrin e gjendjes civile dhe Jetmir Sukajn, një qytetar nga Bllaca e Suharekës, e kishte bërë qytetar të Skenderajt.

Prokuroria pretendon se ky veprim ishte kryer për t’i hapur rrugë zgjidhjes së martesës në mes Sukajt dhe gruas së tij që jetonte në Gjermani. Shkurorëzimi kishte ndodhur në Gjykatën e Skenderajt.

Në deklaratën e tij para Gjykatës zyrtari i Komunës që tash po akuzohet për korrupsion ka  shpjeguar se veprimin e kishte kryer me qëllim që t’i bënte mirë çiftit.

“Kam pasur një kërkesë dhe me qëllim t’i kryej çiftit një shërbim duke qenë e pamundur që unë të ndërhyj në sistem tek shtetasja e huaj kam ndërhyrë te shtatasi ynë Jetmiri duke bërë ndryshimin e vendbanimit të tij”, u shpreh  i akuzuari Kujtim Bekaj. Ai para Gjykatës tha se për qëllimin e ndërrimit të vendbanimit kishte marrë vesh vetëm kur familjarët e të dëmtuarit ishin paraqitur te sporteli i tij.

Gjykimi ndaj Bekajt po kryhet nën akuzën për  “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nën udhëheqjen e gjykatësit Burim Ademi.