Foto: facebook

Përfaqësues të agjencive botërore turistike vizitojnë Kosovën  

Dhjetëra përfaqësues të agjencive turistike botërore që nga dita e djeshme po qëndrojnë në Kosovës për t`u njohur me kapacitetet turistike të vendit.

Pas Prishtinës përfaqësuesit e agjencive nga bota kanë vizituar Prizrenin.

Një grup prej 70 përfaqësuesish të agjencive të njohura të botës janë duke bërë një tur nëpër vendet ballkanike, ndërsa për dy ditë do të qëndrojnë edhe në Kosovë.

Baki Hoti, kryetar i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, ka thënë për Kallxo.com se vizita e përfaqësuesve të agjencive botërore turistike është mundësuar falë bashkëpunimit në mes të institucioneve të turizmit në Shqipëri, Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, (SHTAK/KATA).

“Kjo vizitë e këtyre përfaqësuesve ka një rendësi të veçantë sa i përket promovimit dhe bashkëpunimit në mes agjencive kosovare dhe përfaqësuesve të këtyre subjekteve. Me rëndësi është se ata do të njihen me potencialet tona turistike”,  ka thënë Hoti.

Sipas tij, ky është edhe rast shumë i mirë për promovimin e kapaciteteve turistike dhe të trashëgimisë kulturore kosovare.

Realizimi i kësaj vizite të përfaqësuesve të agjencive turistike botërore është mbështetur edhe nga MPJ, Komuna se Prizrenit dhe Swiscontact-PPSE

Kosova posedon potenciale të konsiderueshme për zhvillimin e turizmit, sidomos atij malorë dhe kulturorë, të cilat edhe konsiderohen se mund të ndikonin në rritjen ekonomike në vend.