Foto: Ilustrim

Për tre muaj rritet 3 për qind konsumi i rrymës

Për tre muajt e parë të këtij viti, në Kosovë konsumi i energjisë ka shënuar rritje rreth 3 për qind, së bashku me këtë më i lartë ishte edhe importi në raport me eksportin e saj.

Në muajt janar-mars të këtij viti u prodhuan rreth 2 milionë tonë thëngjill dhe 1,657 gigavat energji elektrike nga termocentralet dhe 70 të tjera nga hidrocentralet.

“Gjatë tremujorit të parë të vitit 2018 (TM1 2018) vlera e gjithmbarshme e prodhimit të thëngjillit ishte rreth 1,98 mijë tonë. Kurse, sasia bruto e energjisë elektrike, e prodhuar në termocentrale, ishte 1 657.5 GWh dhe në hidrocentrale ishte rreth 70.0 GWh”, thuhet në raportin e ASK-së.

Kosova më shumë importoi rrymë sesa eksportoi atë.

“Sa i përket vlerave të energjisë së importuar, respektivisht të eksportuar, gjatë tremujorit të parë të vitit 2018, Kosova ka importuar 119.2 GWh energji elektrike, derisa gjatë të njëjtës periudhë pra (TM 1 2018) Kosova ka eksportuar 106.4 GWh energji elektrike”, tregoi ASK-ja.

Sipas ASK-së, në tremujorin e parë të vitit 2018, sasia e energjisë elektrike për konsum ishte 1 136.7 GWh energji elektrike. Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2017), sasia e energjisë elektrike e konsumuar është ngritur për 2.8 për qind.

Këto të dhëna u bënë të ditura me publikimin e raportit “Bilanci i Energjisë” për tremujorin e tretë të 2018-ës nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Gjithashtu, KALLXO.com ka shkruar se çmimi i energjisë elektrike është rritur nga muaji mars deri në muajin prill