Për tre muaj, Qeveria i rriti shpenzimet rreth 50 milionë euro, ulen të hyrat

Në tre muajt janar-mars të këtij viti, qeveria i ka rritur shpenzimet rreth 50 milionë euro në raport me periudhën e njëjtë të 2017-ës.

Të dhënat ASK-së, parashikojnë për një tendencë të rritjes së shpenzimeve gjatë vitit.

Ditë më parë, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi Llogaritë Qeveritare të Kosovë për tre muajt janar-mars të këtij viti.

Sipas komunikatës së ASK-së, shuma e përgjithshme e të hyrave të Qeverisë për tremujorin e parë 2018 ishte 408.5 milionë euro.

Raporti tregon se mbi 60 për qind e të hyrave vijnë nga tatimet në produkte.

“Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 63% të totalit të të hyrave, ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave”, thuhet në komunikatë

Raporti i ASK tutje tregon se në tremujorin e parë, sivjet, totali i përgjithshëm i shpenzimeve të Qeverisë ishte 413.5 milionë euro.

Pjesa më e madhe e shpenzimeve sipas raportit të ASK-së ishte për kompensimin e punëtorëve.

“Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë kompensimi i punëtorëve me 35%, kontributet sociale dhe përfitimet me 27%, formimi i kapitalit bruto me 18%, dhe konsumi i ndërmjetëm  me 10%. Ndërsa, pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në struktura të tjera të shpenzimeve”, bën të ditur komunikata.

Të dhënat në raportin e ASK-së flasin për një rritje të shpenzimeve qeveritare dhe rënie të hyrave.

Në raport me periudhën e njëjtë të një viti më parë, ku të hyrat qeveritare arritën vlerën e 458.9 milionë euro, në tre muajt e parë të këtij viti ato pësuan një rënie në -50 milionë euro . Të hyra më të ulëta shënohen edhe në raport me tre muajt e fundit të 2017-ës, kjo paraqet një rënie rreth -94 milionë euro.

Sa i përket shpenzimeve qeveritare, ato ishin më të larta për 45.5 milionë euro,  në raport me periudhën e njëjtë të një viti më parë.

Në anën tjetër, ato ishin më të ulëta në krahasim me muajt tetor-dhjetor të 2017-ës sa ishin 578.3 milionë euro.

Të dhënat e ASK-së, në baza tremujore, tregojnë për një jostabilitet të hyrave,  ato pësuan rënie/ngritje nga një tremujor në tjetrin në anën tjetër shpenzimet qeveritare kanë shënuar trend rritës. Duke paralajmëruar kështu një rritje të shpenzimeve gjatë këtij viti të cilat i kalojnë ato të mëparshme.