Për Herë të Tretë në Gjykatë për të Njëjtën Akuzë

Kjo është hera e tretë që Coli deklarohet rreth fajësisë, pasi që rastin e tij Gjykata e Apelit e ka kthyer dy herë në rigjykim.

Martin Coli dhe djali i tij Bekimi akuzohen se pas një mosmarrëveshjeje kanë tentuar t’i privojnë nga jeta Rrustem Isafin dhe djalin e tij Rilindin nga Beci i Gjakovës.

“A e pranon fajësinë a nuk e pranon? Jo se pranoj,” u shpreh i akuzuari Coli.

Para se Coli të deklaronte pafajësinë, prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Agron Matjani,e lexoi aktakuzën.

“I pandehuri së bashku me djalin e tij i cili gjendet në arrati, kanë përgatitur planin dhe kanë pritur të dëmtuarit në pusat e fshatit Bec. I pandehuri Martin ka goditur me kmesë në dorën e djathtë dhe në shpinë të dëmtuarin Rrustem dhe pastaj e godet në kokë duke i shkaktuar çarje të kafkës e të cilat dëmtime kanë qenë serioze dhe të rrezikshme për jeten e tij…” tha mes tjerash prokurori Matjani.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e atëhershme e Qarkut në Pejë, rasti kishte ndodhur me 30 maj të vitit 2009.