Kuvendi i Kosovës, FOTO: KALLXO.com

Për shkak të paqartësive, shtyhet votimi i Ligjit për Lirinë e Asocimit të OJQ-ve

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës me kërkesë të presidentit të vendit, Hashim Thaçi është kthyer prapë në Kuvend Ligji për Lirinë e Asocimit të Organizatave Jo Qeveritare, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 7 nëntor të këtij viti.

Mirëpo pas debatit, shumica e deputetëve ranë dakord që të organizohet një ekspertizë për të vërtetuar pretendimet e kryetarit të komisionit për Administratë Publike, Nait Hasanit në një anë dhe në anën tjetër pretendimet e presidentit Thaçi të inicuara nga OJQ-të për shkak të paqartësive brenda ligjit.

Nait Hasani, kryetar i komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, akuzoi Organizatat Joqeveritare në Kosovë për lobim për të mbrojtur bizneset kriminale.

“ Ne kemi marrë një kërkesë ose kthim të ligjit të OJQ-ve nga Presidenti që është në kundërshtim me vendimet e Kuvendit ku kemi miratuar këtë projektligj. OJQ-të kanë lobuar mjaftë mirë për të mbrojtur bizneset kriminale të tyre dhe kanë kërkuar nga presidenti ta kthejnë këtë ligj” tha ai.

Tutje Hasani tha se modeli për këtë ligj është marrë nga ligji gjerman.

“Komisioni jonë si model ka marrë modelin e ligjit gjerman, shoqatat kërkojnë që të mbrojnë bizneset e pista dhe kështu kanë arritur ta qesin në kurth administratën e presidentit, 70 milion euro janë pjesë e pashfrytëzuar aty. Kthimi  i Presidentit është e padrejtë dhe kërkoi që ky kthim të mos miratohet”, tha Hasani.

Ai madje akuzoi administratën e Presidentit për shkelje të Kushtetutës.

Deputeti Memli Krasniqi (PDK), tha se i mbështesin kërkesën e presidentit së bashku me rekomandimet e tij.

“Grupit Parlamentar  i PDK-së i mbështet rekomandimet e presidentit. Sot do të duhej të ishte një momenti feste pasi edhe partitë tjera do ta mbështetnin këtë rekomandim. Ka të bëjë me rrezik të konfirmuar nëse nuk ndryshohen keqpërdorimet që mund të ndodhin në sistemin mikrofinanciar”, tha ai.

 Glauk Konjufca nga LVV përkrahi iniciativën e shoqërisë civile për të ju drejtuar Presidentit.

“Ftoj për një gjuhë më të kujdesshme kur flasim për shoqërinë civile në Kosovë. Organizata e shoqërisë civile që e kanë identifikuar këtë problem nuk kanë pasur rrugë tjetër, që formulimet të shkojnë përmes rrugës institucionale. Ia kanë dërguar Presidentit që ai ti sjell në Kuvend dhe ne ti votojmë. Këto si ka formuluar presidenti, por vetë shoqëria civile” tha ai.

Shqipe Pantina, deputete nga Partia Social Demokrate përkrahi rekomandimet e presidentit.

“Ligjërisht dhe proceduralisht rekomandimet janë në rregull. Të votohen rekomandimet e presidentit dhe të mos shkelet qëllimshëm Kushtetuta” tha ajo.

Nait Hasani nga PDK-ja i cili njëherësh është kryetar i Komisionit për  Administratë Publike insistoi se ajo çka ka bërë zyra e Presidentit është shkelje e Kushtetutës.

“Një politikë e tillë që e bën sot Shqipja dhe Glauku është absurde. Këto dojnë me leju pastrimin e parave, prandaj le të mbetet në ndërgjegjen e tyre” tha ai.

Gani Dreshaj nga AAK tha se nuk i përkrahin rekomandimet e presidentit.

“Në Kosovë e kanë gërryer Kosovën OJQ-të. Është e detyrueshme çdo OJQ të ketë përgjegjës. Nëse paret e OJQ-së tërhiqen, dikush duhet të hyjë në burg. Ka dikush interes ta mbrojë atë hajni. Faleminderit kryetar i Komisionit që po anon nga e drejta” tha ai.

Milaim Zeka nga NISMA, tregoi që nuk i përkrah rekomandimet e presidentit.

“Propozoj të formojë komision hetimor parlamentar se kush dhe në çfarë kohe bën takime me presidentin Thaçi. Besoj që i ka vdekë nëna këtij vendi. Shkoni shikoni në ora 8 se kush pret në rend të hyjë te presidenti. Shpesh shoh njerëz të partive të shumicës parlamentare që presin me hy te Presidenti për kafe”, tha ai.

Pas të gjithë këtij debati Kuvendit vendosi që të shkoj në pauzë deri në orën 16:15.

 

https://kallxo.com/presidenti-ia-kthen-kuvendit-ligjin-per-ojq/?fbclid=IwAR2hfFBTzSNJU71hFEpVKDbE4A6Emfib9GcQAIL9ujBLcB1ugDgmh3WchQQ