Rrustem Mustafa - Foto: Facebook/Rrustem Mustafa

Për çfarë krime lufte ishte dënuar Rrustem Mustafa?

Ish-oficerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, të Zonës Operative të Llapit, përfshirë edhe komandantin e Zonës, Rrustem Mustafën, i njohur me nofkën “Remi”, ishin dënuar më 2013 nga Gjykata e Prishtinës për krime lufte.

Komandant “Remi” ishte pjesë e të ashtuquajturit “Grupi i Llapit” që po gjykohej prej vitesh për krimet e pretenduara të luftës.

Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte gjetur fajtorë dhe i kishte dënuar me burgim tre eprorët e lartë të UÇK-së: Latif Gashin, i njohur si “Lata”, udhëheqës i shërbimit informativ ushtarak, Rrustem Mustafën, i njohur si Remi, komandant i Zonës së Llapit dhe Nazif Mehmetin, ish-ushtrues detyre i komandantit të Policisë Ushtarake

Latif Gashi për pikën tetë të aktakuzës e cila pikë e ngarkonte atë për rrahje dhe tortura në qendrën e ndalimit në Llapashticë ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 5 vjet burgim.

Gashi ishte i dënuar më parë edhe nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë në vitin 2009 për pikat 5 dhe 14 të aktakuzës së njëjtë, me nga 2 vjet për secilën vepër.

Gjykata Themelore në Prishtinë, të pandehurit Latif Gashi i kishte unifikuar të dy dënimet dhe i kishte shqiptuar dënimin prej 6 vjetësh burg.

Pika 5 e aktakuzës ngarkonte Gashin dhe të tjerët se “nga tetori 1998 deri në prill 1999 në bashkëkryerje kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në themelimin dhe vazhdimin e trajtimit çnjerëzor të civilëve shqiptarë të Kosovës, të paraburgosur në qendrën e paraburgimit në Llapashticë.

Sipas kësaj pike, Gashi dhe të pandehurit tjerë kanë mbajtur civilët në kushte çnjerëzore duke i privuar nga higjiena, uji, ushqimi dhe trajtimi i nevojshëm mjekësor.

Pika 14 e akuzonte Gashin se “nga 2 gushti deri në fund të shtatorit 1998 ka urdhëruar dhe marrë pjesë në rrahjen dhe torturimin e një rojtari serb të pyllit, i cili ka qenë i ndaluar në qendrën e ndalimit në Bajgorë”.

Sipas aktakuzës kjo është bërë në tentim që ai të detyrohet të pranojë se ka kryer veprime kundër UÇK-së ose të japë informata për inteligjencën.

Nazif Mehmeti për pikën tetë të aktakuzës ishte dënuar më 7 qershor 2013 me 3 vjet burg. Ndërsa më parë edhe ky i pandehur ishte i dënuar nga ish Gjykata e Qarkut në Prishtinë me 1 vit e 6 muaj qëndrim prapa grilave. Nazif Mehmeti mori një dënim unik prej 3 vjetësh burgim.

Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, ishte shpallur fajtor për pikën tetë të aktakuzës dhe ishte dënuar me burgim prej 4 vjetësh. Mustafa ishte dënuar edhe nga ish-Gjykata e Qarkut me dënim prej 2 vjetësh, lidhur me pikën 5 të aktakuzës.

Në qershor 2013, Mustafa kishte marrër një dënim të përgjithshëm nga gjykata prej 4 vjetësh burg.

Grupi i Llapit-Fajtorë për Krime Lufte

Ndërsa, Gjykata e Apelit, në të cilën ishin ankuar këta të dënuar, kishte shpallur vendimin më 11 gusht 2015.

Sipas këtij vendimi, i pandehuri Latif Gashi do ta vuajë dënimin unik prej 6 vjet burgim, i pandehuri Nazif Mehmeti do ta vuajë dënimin unik prej 3 vjet burgim, ndërsa i pandehuri Rrustem Mustafa do ta vuajë dënimin unik prej 4 vjet burgim.

https://kallxo.com/gjykata-e-apelit-vendosi-per-grupin-e-llapit/

Gjatë ditës së sotme, avokati i komandant “Remit” bëri të ditur se klienti i tij është ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për një “intervistë”.

Sipas avokatit Arianit Koci, Rrustem Mustafa do të paraqitet vullnetarisht në Hagë në muajin janar.

https://kallxo.com/komandant-remi-thirret-per-interviste-ne-hage/

Avokati nuk ka bërë të ditur se për çfarë do të intervistohet komandant “Remi”.

Gjykata Speciale në Hagë është themeluar me ligj të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Ajo pritet të gjykojë krime të pretenduara të luftës, për të cilat dyshohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së.

www.kallxo.com