Pensionistët dyshojnë se janë mashtruar me mundësi të marrjes së pensionit nga Serbia

Një numër i madh i pensionistëve nga  Kosova i’a kanë mësyrë sot hotelit Grand për të trokitur në derën numër 306 në katin e tretë.

Aty  mendonin se aty mund të aplikojnë për të marrë pensionet nga kontributet e tyre të paraluftës të cilat tashmë janë në Serbi.

Ky njoftim u shpërnda në rrjete sociale gjatë ditës së sotme.

“Lajmërohen të gjithë pensionistët e Republikës së Kosovës që përfundimisht janë në listat e Qeverisë së Republikës së Kosovës më 31.12. 1998, që sipas vendimit të Strasburgut duhet të paguhen nga ana e Republikës së Serbisë, prej kur ju është ndërprerë pensioni e derisa ti marrin ato në tërësi, qoftë krejt përnjëherë apo me rata. Adresa e paraqitjes është në hotel Grand Prishtinë kati i III, nr. 306”, thuhet në këtë njoftim .

Muharem Hadri thotë se kishte ardhur për të aplikuar por ishte këshilluar kundër kësaj nga një tjetër pensionist, i cili ka përvojë në ushtrimin e së drejtës për marrjen e pensionit nga Serbia.

“Sot e thirra në telefon më tha Shaban Kelmendi që kjo është rrenë, mashtrim, mos u mashtroni” thotë ai.

Njëri nga pensionistët thotë se ka ardhur për të kërkuar të drejtën e tij por që sipas tij i gjithë ky organizim është i dyshimtë dhe ka vendosur të largohet.

“Unë e pashë përmes rrjeteve sociale që me u lajmëru te “Grandi” për me e marrë pensionin prej Beogradit se nëse nuk e bën atëhërë nuk pranohen. Unë isha te zyrja nalt mu më është dukur jo e qartë,më thanë që qenka një avokat ai e ka nisur këtë rrjet se si me mujt me ardh te pensioni, më kërkun me pagu 51 euro nëse don me i plotësu ato dokumenta, pati shumë tollovi nalt, me avokatin nuk mujta me u taku”, thotë ai.

Nga ana tjetër, Shaban Kelmendi, pensionisti i cili e ka fituar rastin e tij nga vendimi i Gjykatës së Strasburgut dhe gëzon pensionin e tij thotë se organizime të tilla nuk guxojnë me i shti në lajthitje pensionistët.

Shaban Kelmendi me regjistrin e pensionistëve në dorë

“61 mijë e 705 pensionistë shqiptarë i kemi vendimet e pensionit dhe nuk ka nevojë kurfarë procedure me u zhvillu prej neve, ekziston vendimi i Strasburgut” thotë ai.

Ai thotë se përmes një vendimi të Gjykatës në Prishtinë ka arritur të sigurojë të gjitha regjistrat e pensionistëve kosovarë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e cila refuzonte t’i jepte qasje në to dhe së shpejti do t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut për të kërkuar ekzekutimin e vendimit të tij.

Departamenti i Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale thotë se ky aktivitet nuk përkon me realizimin e pensioneve në këtë formë.

“Ju bëjmë apel të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe personave të apostrofuar në këtë e-mail, që të kenë kujdes për veprimet që do t’i bëjnë në bazë të ftesës së atyre personave” thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

KALLXO.com mëson se Policia ka qenë në Hotel “Grand” por ata nuk dhanë informata më të detajuara.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi tha se Policia është duke e trajtuar rastin duke mos dhënë informata më të detajuara.

Numrat e vendosur në thirjen që u është bërë pensionistëve nuk kanë qenë të qasshëm ndërsa kur ekipi i KALLXO.com ka shkuar në hotelin “Grand” nuk është lejuar të xhirojë.

Ndërsa, në katin e tretë atje ku janë ftuar pensionistët nuk ka qenë asnjëri nga përfaqësuesit e këtij organizimi.

“Më thanë që nuk është askush këtu, jemi duke pritur në gjithë këtë nxehtësi, kam ardhur nga Skenderaji, jam keq nga shëndeti por shpresova se kjo mund të jetë një nismë që e rregullon gjendjen time financiare, si duket qenkam gabuar” thotë njëra nga pensionistet.

Nga ana tjetër KALLXO.com ka provuar të kontaktoj avokatin e apostrofuar nga pensionistët por ai nuk ka qenë i qasshëm.

Tashmë janë bërë tre vjet prej kur emisioni “Jeta në Kosovë” ka transmetuar hulumtimin për të drejtën e garantuar të pensionit të qytetarëve të Kosovës që kanë paguar kontribute para luftës në Kosovë.

Rruga e Hapur për Marrjen e Pensionit nga Serbia