Pengohet Ndërtimi i Objektit Banesor në Qendër të Deçanit

Familja Iberhysaj nuk ka lejuar të fillojnë punimet për ndërtimin e një kompleksi banesor në qendër të Deçanit.

Punimet janë penguar me arsyen së prona ku është paraparë ndërtimi është në kontest gjyqësor.

Pasi nuk lejuan të fillojnë punimet, banorët bashkë me afaristin e ndërtimeve shkuan të konsultohen tek udhëheqësit komunalë për të gjetur një zgjidhje.

Kryefamiljari, Avdyl Iberhysaj, tregon për KALLXO.com pse nuk lejuan fillimin e punimeve.

“Toka është e jona, jo që pretendojmë por është e jona. Sikur mos të kish qenë e jona ne nuk kishim pretenduar. Kështu që gjykata është në procedurë e sipër dhe hala nuk ka pru kurrfarë vendimi”, tha ai.

Njëri nga afaristët privat që erdhi në vendin e ngjarjes u tha protestuesve së ai ka vepruar sipas të gjitha procedurave ligjore. Po ashtu, palës ankuese i tha se nuk është në kontest me kompaninë e tij,  por me Komunën e Deçanit.  “Nuk kam asnjë kontest me juve, për jetë jete”, u tha ai.

I kontaktuar nga KALLXO.com, nënkryetari i Komunës, Sami Cacaj, tha së pronare e pronës në fjalë është Komuna e Deçanit.

Ai tregoi se me palët ka arritur kompromis që punimet të shtyhen për pak ditë.

Kurse, Avdyl Iberhysaj tha së në pronën në fjalë do të lejojnë të bëhet park për qytetarët, por jo edhe kompleks banesor.

“Ne sot në mënyrë unanime, se jemi shumë bashkëpronarë, kemi thonë le të marohet midis qendrës një park, qe ne po e nënshkruajmë. Po lejojmë një park për krejt qytetarët, por jo banesa”, tha ai.