Pendarovski fiton raundin e parë të zgjedhjeve për president të Maqedonisë së Veriut

Stevo Pendarovski, kandidat i 31 partive në pushtet të udhëhequr nga Lidhja Social-Demokrate, është shpallur fitues në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, por me një diferencë shumë të ngushtë kundrejt Gordana Siljanovskës të opozitës maqedonase.

Sipas të dhënave paraprake të Komisionit shtetëror të zgjedhjeve, nga 98 për qind të vendvotimeve të numëruara, Pendarovski ka fituar me një diferencë prej rreth 1 mijë votave, 316.716 apo 42,72% kurse Siljanovska 315.651 apo 42,58% për qind.

Kandidati shqiptar, Blerim Reka, që ka mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët ka fituar 76.697 apo 10,35%. Në zgjedhje kanë votuar 42.03 për qind nga rreth 1.8 milion qytetar me të drejtë vote.

Por, pavarësisht këtij rezultati dy partitë kryesore kanë shpallur fitoren në zgjedhje. Kryeministri Zoran Zaev, njëherit kryetar i LSDM-së tha se në zgjedhjet e së dielës ka fituar koncepti që çon para vendin ndërsa ka ftuar qytetarët që në balotazh të vulosin fitoren e kandidatit pro evropian, Stevo Pendarovski.

“Jam i bindur se në rrethin e dytë do të arrijmë edhe një vlerë evropiane, do të kemi President evropian për shtetin tonë. Pendarovski po udhëheq në zgjedhje fer dhe demokratike. Në këto zgjedhje do të vendoset se a do të ecim përpara apo do të kthehemi në izolim. Në rrethin e dytë kemi dy koncepte, të bashkimit dhe ecjes përpara, dhe konceptin e Siljanovskës, të ndarjes dhe kthimit pas. Është e qartë se në rrethin e dytë koncepti i Pendarovskit do të ketë mbështetje edhe më të madhe. Pres që edhe qytetarët që votuan për Blerim Rekën të na bashkohen në rrugën që çon para shtetin”, ka deklaruar Zaev.

Nga ana tjetër, Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO DPMNE-së tha se fitorja e së dielës e kandidates, Gordana Siljanovska, është edhe një dëshmi se populli sic tha nuk pajtohet me politikën e dështuar dhe të dëmshme të qeverisë aktuale.

“Kjo fitore është e madhe, është fitore e popullit, Nga sot Maqedonia ka realitet të ri, ajo është krenare pasi fitoi drejtësia, fitoi koalicioni i VMRO-së me popullin. Mundem LSDM-së dhe shumë parti tjera që për fat të keq vendosën që të jenë shërbëtor të Zoran Zaevit .Dita e sotme dëshmoi se pushteti është në apati”.

“Populli e dënoi për emrin, identitetin, gjuhën, krimin korrupsionin dhe plaçkitjen që është e pranishme çdo ditë. Por populli këtë e ka parë. Pranvera demokratike po vjen, Po fillon realitet i ri në atdhe. Do të jemi së bashku deri në fitoren e madhe”, ka deklaruar Mickovski duke ftuar popullin që në balotazh të votojë kandidaten e opozitës, Gordana Siljanovska-Davkova.

Kandidati shqiptar për president, Blerim Reka, tha se është i kënaqur nga rrjedha e votimit dhe rezultati i arritur.

“Në të gjitha komunat shqiptare udhëheqin 3 me 1 në raport me kandidatët e tjerë. Vota kemi fituar edhe në komuna. Koncepti jonë “Republika për të gjithë” ka marrë mbështetje edhe në ato komuna ku nuk kemi shtrirje partiake. Kjo jep shpresë se Maqedonia do të jetë shtet i të gjithëve. Me votat e siguruara ne kemi deligjitimuar partitë tjera shqiptare, dhe kjo paralajmëron një pranverë politike”, ka deklaruar Reka.

KSHZ-ja ka bërë të ditur se procesi zgjedhor u zhvillua kryesisht në atmosferë të qetë dhe demokratike.

Edhe Ministria e Punëve të Brendshme procesin zgjedhor e ka vlerësuar si demokratik, pa asnjë incident serioz.

Zgjedhjet janë mbikëqyrur nga 3150 vëzhgues ku numrin më të madh prej 1500 vëzhguesve e ka organizata joqeveritare “Most” ndërsa 400 ishin të huaj.

22 Prill 2019 - 08:59

REL 22/04/2019 - 08:59
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend