Ilustrim

Pejë: Rast i ri, vajza e mitur dyshohet se u abuzua seksualisht

Një person është arrestuar të dielën mbrëma me urdhër të Prokurorisë së Pejës nënë dyshimin se kishte keqpërdorur seksualisht një të mitur të komunitetit Rom. Sipas policisë personi dyshohet se nënë premtimin për martesë e kishte nxitur të miturën të kryente marrëdhënie seksuale.

Personi me urdhër të prokurorisë është paraburgosur.

Gjatë javës së kaluar në disa raste janë hapur afera të abuzimeve seksuale me të mitura.

Më poshtë lexoni dosjet për pjesëtarin e FSK-së të arrestuar dhe Policit të Kosovë  të dyshuar për vepra të tilla.

Dosja për pjesëtarin e FSK-së 

Sipas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit të siguruar nga KALLXO.com, më datë 7 shkurt rreth orës 19 në fshatin Mogillë të Komunës së Kllokotit i pandehuri (pjesëtari i FSK-së) për qëllime seksuale ka kapur për dore të miturën dhe e ka futur mbrapa veturës së tij. Më pas ka tentuar ta zhveshë, ndërsa e mitura ka kundërshtuar duke i thënë se “dëshiron të shkoj në shtëpi”.

“Në ato qaste kishte arritur xhaxhai i të miturës dhe e kishte larguar të miturën nga vetura ku më pas ishte larguar për në shtëpinë e saj dhe më pas është detyruar që të kërkoj ndihmë mjekësore psikiatrike në Qendrën Emergjente të Spitalit Regjional në Gjilan”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Gjithmonë sipas kërkesës për paraburgim, dy ditë më pas, Prokuroria kishte pranuar një kallëzim penal të në cilin thuhet se pjesëtari i FSK-së, ka keqpërdorur seksualisht një të mitur nën moshën 16 vjeçare.

Dosja për pjesëtarin e policisë 

Ngjarja e cila e tronditi opinion publik në Kosovë dyshohet se fillimisht ndodhi pasi që e mitura kishte shkuar në Polici për ta raportuar ngacmimin seksual nga mësimdhënësi.

Ditë më parë mediat raportuan se viktima e mitur kishte shkuar në polici për të raportuar ngacmimin e mësimdhënësit por që më pas kishte rënë pre e dhunimit dhe keqpërdorimit seksual edhe nga polici.

KALLXO.com, ka dhënë detaje nga dosja e Prokurorisë.

Aty shpjegohet se si polici dyshohet se e ka keqpërdorur pozitën kur viktima e kishte lajmëruar një rast të abuzimit seksual nga një mësues i saj.

Dosja sqaron se i pandehuri më pas kishte shkuar të shkolla, ku nga viktima kishte marrë numrin e saj të telefonit.

Pas këtij veprimi, sipas asaj që shkruhet në dosjen e Prokurorisë, polici ka filluar të komunikojë me të duke e kushtëzuar që nëse nuk del të takohet me të, ky ‘nuk kthehet i gjallë në shtëpi’.

Nga aty, sipas dosjes, i dyshuari kishte shkuar te shtëpia e viktimës, ku pas presioneve me drita të makinës e kishte detyruar të dalë jashtë.

“Me veturën e tij kanë shkuar në motel dhe aty pa dëshirën e të dëmtuarës sipas Prokurorisë i dyshuari e ka detyruar që të ketë marrëdhënie seksuale me të”, thuhet në dosje.

Prokuroria përmend disa raste, ku sipas saj, ishin kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirë, përfshirë udhëtimet në Shqipëri si Patok, Tiranë, kalanë e Rozafës, Elbasan etj.

Rasti kishte nisur në vitin 2016, kur viktima ishte 16 vjeçare, ndërsa lidhja thuhet se kishte vazhduar tutje gjatë dy viteve të ardhshme.

Në janar 2019, kur vajza ishte 18 vjeçe ajo kishte kuptuar se ishte shtatzënë në javën e 10-të.

Lajmi për shtatzëninë kishte ngritur në këmbë një aparat të tërë ndërsa termini për abortin dyshohet se ishte caktuar me 15 janar në klinikën e doktorit F.A.

Aty aborti dyshohet se ishte kryer për një shumë prej 230 eurosh.