Mish - Ilustrim

Pejanit i konfiskohen mbi një mijë kilogram mish të prishur

Në qytetin e Pejës, policia në bashkëpunim me AUV gjatë ditës së djeshme kanë gjetur sasi të mëdha të mishit të dëmshëm për konsumim.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar tre persona nën dyshimin për prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor.

Sipas policisë, te të dyshuarit është gjetur mishi i dyshimtë për konsum.

“Inspektori i veterinës ka konstatuar dhe asgjësuar mishin i cili ishte i dëmshëm për konsumin njerëzor. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim të policisë.

Ndërsa zyrtarë të Agjencisë së ushqimit dhe Veterinarisë kanë treguar për KALLXO.com se në dy objekte të vogla, në oborrin e shtëpisë është hasur në kafshën e copëtuar, si dhe në disa pajisje ftohëse të vjetruara.

Zyrtari për informim në AUV, Lamir Thaçi, ka treguar për vendin ku është gjetur mishi i kafshës së ngordhur.

“Dje rreth orës 14:30 jemi kontaktuar nga Policia e Kosovës, Stacionit Policor në Pejë, lidhur me një informatë që kanë pranuar nga një qytetar, se në një fermë është marrë një kafshë e ngordhur. Pas hetimeve që ka zhvilluar Policia, është gjetur vendi dhe i dyshuar. Me urdhër të Prokurorit të shtetit, kemi kryer inspektim në shtëpinë private të të dyshuarit, në rrugën “Lekë Dukagjini” nr. 179, në Pejë”, ka thënë Thaçi.

Tutje, Thaçi ka treguar rreth gjendjes në të cilën është gjetur kafsha e ngordhur.

“Aty është gjetur edhe  një sasi e konsiderueshme e produkteve të mishit të ngrira, tymosura në kushte jo të mira higjienike. Në kontroll organoleptik konstatohej se produkti kishte erë kundërmuese dhe pamja fizike ishte jo në rregull. Hapësirat ku është ushtruar kjo veprimtari ilegale ka qenë në gjendje të papranueshme higjienike, ka pasur papastërti në hapësirat e therjes dhe ruajtjes se produktit. Kushtet teknike- sanitare dhe higjienike jashtë çdo standardi”, ka shtuar ai.

Sipas tij kafsha e ngordhur ka qenë jashtë çdo standardi duke mos plotësuar asnjë standard të sigurisë ushqimore.

“E gjithë sasi e mishit dhe produkteve të mishit të gjetur është asgjësuar, e cila shprehur në kg ishte 1089.40 kg mish dhe produkte të mishit. Asgjësimi është kryer në mjetin transportues të kompanisë se higjienës publike në prani të Policisë. Në konsultim me Prokurorin e shtetit lënda i është dorëzuar policisë së hetimeve për ta dërguar në organet e drejtësisë.  Me të dyshuarit e implikuar në këtë rast po merren organet ndjekëse”, thuhet në përgjigjet e AUV.